Naim Qarri “shfryn” ndaj anësorit. Edhe pse nuk justifikon në asnjë moment skuadrën e tij për humbjen e turpshme që pësoi në “Selman Stërmasi”, nuk mund të mos komentojë gjykimin. Në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai kujton se ishte i njëjti arbitër që u ka anuluar edhe një gol në Shkodër gjatë sezonit të kaluar.
Edhe pse nuk guxon ta thotë nëse gjithçka ishte e qëllimshme, hedh akuza mbi drejtuesit e kolegjiumit që e kanë pajisur me stemën e FIFAs. “Nuk dua ta besoj… Është i njëjti anësor (i referohet më konkretisht Nertil Bregasit), që na anuloi atë gol të bukur nga Plaku në Shkodër.
Po ky arbitër na godet sërish me penallti dhe karton të kuq. Të gjithë e pamë estradën. Nuk e di në ka ndonjë qëllim keqdashës ndaj meje apo skuadrës sonë ky gjyqtar, apo gaboi pa dashje e pa ndonjë qëllim. Nuk e imagjinoj se kush ia ka dhënë stemën e FIFA-s këtij gjyqtari, që për mua nuk e meriton. Më vjen shumë keq se çfarë arbitrash gjykojnë në Superiore”, kështu e nisi fjalën e tij presidenti, ndërsa hapur reklamon gjykimin e Tirana-Kamza.
ZHGËNJIMI – Lidhur me humbjen e pësuar nga skuadra së tij, ai mendon se skuadra gaboi pa fund dhe sidomos në mbrojtje. Ai priste tjetër reagim pas të kuqit dhe penalltisë prej ekipit, por e kundërta ngjau. E megjithatë, kërkon që ta “arkivojë” një orë e parë këtë duel për të mos ngarkuar edhe më shumë lojtarët. “Sigurisht që ky moment ndikoi pa masë në ecurinë e mëtejshme të ndeshjes, por assesi skuadra nuk duhej ta humbiste këtë takim.
U bënë gabime në mbrojtje dhe u lanë të lirë sulmuesit. Nuk duhej që të gabonim në këtë formë. E kuptoj se sa i rëndësishëm është një moment në skuadër, por kurrsesi nuk mund të varesh nga një episod. Duhet të mblidhnin forcat, të harronin atë moment dhe t’i shtroheshin lojës”, shtoi numri një i Kamzës.
MERKATO – Qarri nuk e quan të mbyllur merkaton, përkundrazi ai paralajmëron se do kërkojnë deri në fund që të gjejnë një mbrojtës. “Merkato për ne gati është e përfunduar, por sigurisht që kemi deklaruar dhe më parë se e kemi mjaft të nevojshëm një mbrojtës ose qendërmbrojtës, kemi qenë në pritje dhe shpresojmë akoma se do ta kemi një të tillë. Ne jemi në pritje deri në sekondën e fundit, mbase shpresojmë te surprizat që mund të ndodhin”, u shpreh numri një i klubit kryeqytetas.
MBIJETESA – Përtej gjithçkaje, ai nuk e humb besimin te grupi dhe e thotë me bindje se mbijetesa do të jetë një mision i realizueshëm. “Grupi i lojtarëve që ne kemi ndërtuar ka një potencial dhe kapacitet për ta përballuar pjesën e dytë të kampionatit dhe jam plotësisht i bindur te përkushtimi i tyre për ta shpëtuar skuadrën.
Me siguri e them se skuadra jonë me hir apo pa hir nuk do të zbresë nga kategoria. Ne jemi në gjendje ta mbajmë dhe të investojmë sërish edhe më shumë sezonin e ardhshëm me synimin e pretendimeve”, përfundoi Naim Qarri.