Stavri Nica e “kap” me mungesat. Gjatë deklaratës së dhënë pas ndeshjes, trajneri i Burrelit theksoi se pa sulmues në fushë, e kishin të vështirë që të bënin më shumë.
“Burreli kishte një formacion me mangësi, pasi dy sulmuesit më të mirë që kemi, nuk luanin. Kjo na solli shumë vështirësi, pasi pa sulmues nuk mund të bësh atë që do.
Ndaj detyrohesh të sajosh sulme me mesfushorë. Megjithatë, djemtë dhanë maksimumin, duke luftuar.
Kishim mundësi që në pjesën e dytë të barazonim me një rast shumë të pastër. Kampionati është i gjatë, duhet me pas durim dhe me punuar fort.
Që të krijohet një skuadër e gjithë bota thotë se duhet tre vjet, ndërsa ne e duam për tri ditë apo tri javë. Ndaj duhet kohë për të futur një mentalitet në skuadër e të gjithë faktorët e futbollit me radhë.
Gjithsesi, ne do të bëjmë punën tonë, do të merremi me djemtë maksimalisht dhe shpresoj që të ngrihemi gradualisht në kampionat”, përfundoi Nica.