
Humbja e fundit në Krujë ndaj Kastriotit vendas me rezultatin 2-3 por edhe rezultatet e sotme të ndeshjeve të tjera të Superligës, i kanë rënduar jo pak pozitat e Vllaznisë në renditje. Ajo ndodhet në kuotën e 22 pikëve por javët e ardhshme duken shumë të vështira. Tirana po ngjitet. Kastrioti është futur sërish në lojë pas fitores ndaj saj dhe po ashtu edhe Bylis mbetet i rrezikshëm në fushën e tij pavarësisht humbjes së sotme ndaj Tiranës. Këto janë skuadrat që kanë më shumë shanse për të rënë. Besa ndërkohë vetëm me dy fitore në dy takimet e fundit jo vetëm që i është larguar zonës së ftohtë por tashmë po sheh drejt kreut. Një kampionat krejtësisht i pakuptimtë teksa edhe Flamurtari tashmë ka hyrë në vallen e skuadrave që rrezikojnë rënies. Kukësi po ashtu nuk po ngjitet dhe në gjithë këtë vorbull skuadrash që rrezikojnë, Vllaznia duket se nuk i ka punët mirë. Asaj i mungojnë aleatët dhe po ashtu edhe mbështetja. Tifozët janë të pakët në numër dhe sigurisht që gjërat nuk janë në rregull. Kalendari është i vështirë pasi këtë javë vjen Partizani, më pas do shkojë në Ballsh për ta mbyllur fazën e dytë në Shkodër duke pritur Besën. Ky kalendar dhe kjo situatë kërkon një seriozitet maksimal nga të gjithë shkodranët. Jo vetëm ata që janë sot pjesë e Vllaznisë. Edhe nga tifozët, edhe nga specialistët, edhe nga pushtetarët lokalë. Kushdo që ka diçka në dorë, duhet patjetër të kontribuojë për këtë skuadër në mënyrë që ajo të mos bjerë nga kategoria. Natyrisht që nuk është koha për ndryshime, as për presione. Tashmë është koha për bashkëpunim mes të gjithëve për të mirën e Vllaznisë. Njëkohësisht duhet edhe një analizë e hollësishme e kësaj situate për të nxjerrë detyrat e secilit dhe njëkohësisht përgjegjësitë që duhet të marrë për ta shpëtuar skuadrën.
© shkodrasport.com