Ekipi i Valur, kundërshtar i Vllaznisë për Conference League ka luajtur mbrëmë ndeshjen e rradhës në kampionat. Islandezët kanë zbritur në fushë në kuadër të javës së 13-të të kampionatit. Valur ka qenë mysafir në fushën e Akranes. Një duel që ka pasur plot emocione dhe gola mes dy skuadrave.
Fillimisht ka qenë Valur që ka kaluar në avantazh me anë të Jonsson. Por vendasit do përmbysnin gjithçka brenda pjesës së parë, me golat e Gislason dhe autogolin e Duffield. Do ishte Valur që do reagonte në pjesën e dytë me Helgason që do barazonte shifrat në 2-2. Por nuk do mbyllej me kaq sfida mes dy skuadrave.
Kjo pasi në limitet e minutave të rregullta, do ishe Akranes që do merrte 3 pikët. Duke i shkaktuar një humbje Valur pas më shumë se dy muajsh në ndeshjet zyrtare. Me këtë disfatë, Valur mban vendin e tretë me 25 pikë. Por me diferencë tashmë prej 5 pikësh me kryesuesit e Vikingur.
Ndeshja e parë e Conference League mes Valur dhe Vllaznisë do luhet në datën 11 korrik. Por deri në atë moment, ekipi nga Islanda do luajë edhe dy takime të tjera zyrtare. Një në datën 2 korrik kundër KA Akureyri në kuadër të kupës së Islandës. Dhe po ashtu një tjetër në datën 6 korrik në kampionat kundër Fylkir.
Endri ÇINARI