Një fitore 2-1 me Arabinë Saudite pas një humbjeje 2-1 ndaj Austrisë, nuk është mënyra më e mirë për të përgatitur mbrojtjen e titullin kampion bote.

Këtë e ka të qartë mbrojtësi i Gjermanisë, Mats Hummels, i cili pranon në një intervistë ekskluzive për “Daily Mail” se skuadra e tij ka shumë punë për të bërë në mënyrë që të ketë ndonjë shank të fitojë në Rusi.

Situata nuk është fort e mirë të kampionët në fuqi, kjo edhe për çështje që nuk kanë lidhje me fushën e lojës, si për shembull vërshëllimat e tifozëve ndaj Ilkay Gundogan për foton e famshme tashmë me presidentin turk Erdogan.

“Nuk më pëlqeu ajo skenë dhe shpresoj të mos zgjasë edhe për shumë”, tha Hummels. “Me atë veprim, tifozët nuk mbështesin më as lojtarët e tjerë. Dukej sikur të gjithë po prisnin që Ilkay të kapte topin që ta vërshëllenin”.

Fitorja ndaj Arabisë, ishte e para për Gjermaninë në vitin 2018 (më parë një barazim me Spanjën dhe humbje ndaj Brazilit e Austrisë) kështu që Hummels ishte aspak në humor.

“Ia vështirësuam vetë punët vetes. E nisëm mirë, por nisëm të dhuronim topin shumë lehtë. Duhet të tregohemi më dominues në fushë”, tha ai.

“Kështu na ndodhi edhe me Bayern dy ndeshjet e fundit të sezonit (humbje 4-1 naj Stuttgart dhe 3-1 ndaj Frankfurt në finalen e Kupës së Gjermanisë). E njoh këtë situatë dhe duhet të ndryshojmë sa më shpejt”.

Që prej Botërorit 2002, rezultatet e Gjermanisë në Kupën e Botës kanë qenë mbresëlënëse: finalist, gjysmëfinaliste, gjysmëfinaliste dhe fituese.

Pa harruar fitoren e Kupës së Konfederatave një vit më parë… Por Hummels qendron me këmbë në tokë. “Nuk mund të arrijmë suksesin duke mos bërë asgjë për situatën ku ndodhemi tani.

Nuk e fsheh që jemi një prej skuadrave që mund ta fitojmë këtë turne, por ka edhe skuadra të tjera. Të gjithë mund ta fitojnë. A e mbani mend Greqinë në vitin 2004? Pretendetet e tjera për mua janë Franca, Brazili, Anglia dhe Argjentina”.

“Nëse duam ta fitojmë këtë kupë duhet të punojmë fort dhe të përqendrohemi”, thotë Hummels. “Me Arabinë ishte testi i fundit para se të nsiemi për në Rusi. Nëse duam të arrijmë diçka në Botëror duhet të përmirësohemi. Dhe shumë madje”./EDS/