Erzeni, është kërcënimi i vetëm për Vllazninë, këtë sezon për ngjitjen në Superligë. Ekipi nga Shijaku, po bën mjaft mirë këtë sezon, kjo dhe falë lojtarëve me potencial si Rejnaldo Troplini.

5 vite tek ky ekip, nuk janë pak për një lojtar që gjithmonë ka dhënë maksimumin për skuadrën dhe shokët. Ai madje, është zgjedhur dhe në formacionin më të mirë të fazës së parë, në Grupin A, të Kategorisë së Parë.

Në një intervistë për newsport.al, Rejnaldo Troplini, ka “skanuar” veten e tij, skuadrën dhe nuk ka lënë pa analizuar Superligën. 24-vjeçari, madje ka rrëfyer dhe disa fakte interesante nga ekipi i Erzenit që vlejnë të lexohen.

Intervista e plotë:

– Erzeni momentalisht po bën një kampionat shumë të mirë, sa mendoni se janë shanset për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë duke parë që Vllaznia nuk ndalet lehtë?

Është e vërtet që kemi bërë një gjysëm kampionati shumë të mirë. Shanset janë shumë të mëdha edhe pse për përballë kemi një ekip me mjaft traditë siç është Vllaznia. Me gjithë respektin për këtë ekip nuk mendoj se kanë shumë diferenca ndaj nesh.
Ne do ta rivalizojmë deri në fund do të japim maksimumin. Shpresoj që të luhet pastër deri në fund.

– Ju jeni një “shtyllat” e ekipit, ku mendoni se skuadra çalon dhe duhet përmirësuar?

Mendoj se skuadra pavarësisht mungesave, të cilat këtë sezon kanë bërë që ekipi të mos jetë asnjëherë i plotë ka luajtur mirë, si një grup i bashkuar. Mund të them se kemi qenë të pafatë pasi nuk kemi çaluar në asnjë aspekt tjetër.

– Një lojtar që militon në të Parën dhe është titullar nuk mund të mos bjeri në sy, ju keni patur oferta qoftë nga Kategoria e Parë apo dhe Superliga?

Kam 5 vite që jam pjesë e Erzenit. Oferta kam pasur çdo vit nga shumë ekipe të Kategorisë së Parë. Po ashtu kam dhe nga Superliga
Në ketë merkato deri më tani janë interesuar 2-3 ekipe nga Superliga.

-Të kalojmë në planin personal, cilat mendoni se janë disa nga avantazhet dhe disavantazhet e tua ? Në cilat pika keni nevojë për përmirësim?

Avantazhi im është që i përkushtohem me seriozitet stërvitjes dhe luaj për ekipin. Disavantazhi? Nuk e di, pres të ma thonë të tjerët. Jam i hapur gjithmonë ndaj kritikave.

-Superliga këtë vit ka një rivalitet të madh, kë shihni si pretedent për tu shpallur kampion dhe kë për të rënë nga elita e futbollit shqiptar?

Partizani po tregohet ekip i fortë, por në garë fus edhe Kukësin me Teutën. Ndersa Skënderbeu ngelet në pikepyetje akoma. Të rrezikuar shoh Kastriotin, Kamzën dhe Luftëtarin.

-Cilët mendoni ju se janë disa nga emrat e futbollistëve të rinj që po bëjnë shumë mirë deri në këto momente në Shqipëri?

Ka shumë që shkëlqejnë, por do fokusohesha tek Kategoria e Parë. Dragoshi është një talent që shumë shpejt do të shperthejë në Shqipëri, por edhe Lajthia. Stërvitem çdo ditë me të dy dhe i di që kanë të ardhme, mjafton të punojnë.

-Një pyetje jashtë futbollit vendas, cili ekip ju jep më shumë kënaqësi kur e shihni dhe cili lojtar është ai që i’u frymëzon?

Jam tifoz i Milanit, por më pelqën loja që bënte dikur Barcelona me Guardiolën. Të them dhe një fakt interesant, disa herë me skuadren sterviteshim për të famshmen Tiki-Taka dhe qarkullimi i topit është një taktikë e jona si ekip.
Lojtarët që më frymëzojnë, janë Lionel Messi, Ronaldo Fenomeni./newsport/