Vllaznia ia doli të marrë një pikë me vlera në transfertën e së premtes në kryeqytet. Djemtë e Jonuz zhvilluan një paraqitje të mirë krahasuar me ndeshjen e fundit, duke vendosur disa herë në vështirësi serioze ekipin e Tiranës.

Një nga lojtarët më të mirë në fushë për kuqeblutë ishte Hygor Guimaraes, që edhe pse jo në formën fizike më të mirë, iu afrua shumë pranë golit.

Mesfushori është nisur drejt Brazilit, pasi një problem familjar e shqetëson. Klubi i Vllaznisë mësohet t’i ketë dhënë lejen e nevojshme, duke shpresuar në një rikthim të shpejtë në Shkodër.

Bëhet më dije se e ëma dhe bashkëshortja e Hygor kanë probleme shëndetësore, ndaj një udhëtim drejt vendlindjes ishte i pashmangshëm.

Në klub nuk garantojnë një kthim të shpejtë të tij dhe mesfusha e Mirsad Jonuz duhet të ndryshohet sërish. 30 vjeçari është një pikë e fortë për Vllazninë, pasi në nëntë paraqitje ka gjetur rrugën e rrjetës tre herë./newsport/