Vilfor Hysa dhe Kastriot Rexha kanë qenë në qendër të kritikave pas dy javëve të para. Sulmuesit e Vllaznisë nuk janë zhbllokuar ende dhe tashmë presioni më i madh ka kaluar tek ata. Në një bisedë me te, lojtari tiranas dhe ai kosovar flasin për nisjen jo të mirë të aventurës me Vllazninë. Ata premtojnë se do të shpërthejnë në ndeshjen ndaj Luftëtarit, ndërkohë që pranojnë se kanë zhgënjyer në startin e sezonit. “Jemi ende larg vetvetes, por shpresojmë se do të gjejmë golin që në takimin ndaj Luftëtarit në Shkodër”, – thonë njëzëri sulmuesit. Hysa – “Më vjen keq që ende nuk jam në gjendjen time më të mirë. Kam akoma mungesë të përgatitjes fizike dhe kjo ka ndikuar jo pak në lojën time në dy takimet e para. Sigurisht, kjo ka bërë që unë të mos kem efikasitetin e duhur në sulm. E di që janë bërë lëvizjet e duhura gjatë merkatos dhe jo më kot kam pranuar të luaj për Vllazninë, pasi më ka pëlqyer gjithmonë kjo skuadër. Gjithsesi, duke shfrytëzuar maksimalisht këto dy javë, shpresoj se do të përmirësohem në maksimumin tim. Dihet që unë jam shtatshkurtër dhe, në ndeshjet që kemi bërë, skuadra ka luajtur më shumë me topa të gjatë. Kjo për mua është disi pengesë, pasi nuk arrij dot që t’i kap të gjithë topat, apo të jem unë aty ku duhet, për shkak të mënyrës së lojës. Unë personalisht pëlqej që të luhet me topa të shkurtër dhe të shpejtë në thellësi, që të tregoj plotësisht vlerat e mia. Gjithsesi, kam bindjen që në ndeshjet e radhës do të bëjmë kthesën”, – është shprehur Hysa.
Rexha – “Të them të drejtën ka qenë e vështirë për të shënuar, por edhe unë kam pasur mungesën e gërshetimit me ekipin. Në këto dy ndeshje nuk kam qenë atje ku duhet, teksa nuk kam arritur të jem i rrezikshëm përpara portës. Shpresoj që shumë shpejt të gjej rrugën e duhur të përshtatjes me lojën dhe të jem efikas në shënimin e golave, gjë për të cilën dhe unë kam pranuar të jem pjesë e Vllaznisë. Duhet të dimë se nuk është e lehtë të dalësh përpara portës së kundërshtarit dhe te kjo ne kemi pasur disi vështirësi. Shpresoj që së bashku me Hysën, në vijën e parë të sulmit, të arrijmë t’i bashkërendojmë forcat dhe të jemi aty ku vërtetë kemi aftësitë tona. Kam bindjen se në ndeshjet e ardhshme që kemi në Shkodër, por dhe gjatë këtyre ditëve që është ndërprerë kampionati, do të punojmë maksimalisht në të gjitha drejtimet. Premtoj se kthesa jonë do të jetë që në takimin me Luftëtarin, ku besoj se do të arrij të shënoj”, – deklaroi sulmuesi kosovar i Vllaznisë, i cili ishte titullar në startin e sezonit.
Admir URUÇI