Dy boksierë të përfaqësueses shqiptare të boksit, pikërisht Nelson Hysa dhe Rexhildo Zeneli kanë zënë vendet e para dhe kanë marrë medaljet e arta në turneun ndërkombëtar “Adem Jashari” që u zhvillua të premten dhe të shtunën në Kosovë. Ata kanë sfiduar kundërshtarët e tyre në peshat 56 kg dhe +91 kg duke u nderuar me vendet e para. Në finalet e djeshme të zhvilluara në Prizren kanë qenë 5 boksierë të kombëtares shqiptare por Taulant Zajmi, Asmer Bilali dhe Kristian Demaj janë mundur nga boksierët e tyre kundërshtarë që ishin nga Bullgaria. Atmosfera në pallatin e sportit të Prizrenit ku janë zhvilluar këto finale ka qenë me të vërtetë entuziaste. E veçanta e gjithë këtij aktiviteti ka qenë padyshim marrja pjesë e presidentit të Federatës Botërore të Boksit (AIBA), tajlandezit Chaing Ko ëu. Prania e këtij personaliteti të madh të boksit botëror, tregon për vlerësimin që i ka bërë këtij aktiviteti por edhe boksit kosovar që tashmë ka marrë miratimin e kësaj federate për t’u njohur si anëtare me të drejta të plota të tij. Ndeshjet kanë qenë të gjitha të forta dhe në fund trajneri i kombëtares sonë Zef Gjoni është shprehur i kënaqur me suksesin e dy boksierëve të tij duke parë edhe kundërshtarët shumë të fortë që ata kanë patur përballë. Fakti që Nelson Hysa, pjestar i Vllaznisë dhe Rexhildo Zeneli i Flamurtarit, arritën të marrin medaljet e arta në edicionin e 14-të të kupës “Adem Jashari” ku morën pjesë 11 shtete, është një arritje për kombëtaren shqiptare.
www.shkodrasport.com