Ky mbase mund të jetë lajmi më i mirë për sportin shkodran për vitin 2012. Në Memorialin ndërkombëtar të boksit “Vllaznia 2012” që do të zhvillohet në Shkodër nga datat 9-12 mars, pritet të marrin pjesë rreth 20 shtete nga e gjitha bota. Një pjesmarrje e tillë kaq e madhe sigurisht që është befasuese por kemi të bëjmë me një turne gjithnjë e në rritje nga pjesmarrja dhe rëndësia. Lajmin për pjesmarrjen kaq të madhe të sportistëve, e ka bërë të ditur për gazetën online shkodrasport.com, kapiteni i ekipit të boksit të Vllaznisë Nelson Hysa.

“Memoriali “Vllaznia 2012 është një aktivitet që po shënon rritje të madhe nga viti në vit. Nëse vjet ishin pjesmarrës 14 shtete, në Memorialin e sivjetëm pjesmarrja pritet të jetë më e madhe dhe mendohet që pjesmarrës të jenë 19 ose 20 shtete. Ndonëse duhet edhe më tepër se një muaj nga zhvillimi i tij, shumë shtete kanë filluar të konfirmojnë pjesmarrjen por ne ende nuk kemi bërë asnjë lëvizje ngaqë nuk kemi siguruar akoma fondet që duhen për pritjen dhe akomodimin e tyre. Bashkia Shkodër nuk ka dhënë një përgjigje pozitive për fondet e duhura për zhvillimin e këtij aktiviteti por jemi në pritje sepse do ishte edhe në nderin e saj zhvillimi i një aktiviteti të tillë kaq të rëndësishëm. Të vijnë 20 shtete dhe rreth 200 boksierë nga e gjithë bota, është një sukses dhe kënaqësi për t’u treguar të gjithëve se çfarë është në gjendje të bëjë Shkodra prandaj dhe gjithë njerëzit që kanë diçka në dorë në këtë qytet, duhet ta tregojnë veten. Memoriali “Vllaznia 2012″ është kategorizuar për herë të parë këtë vit si një turne i nivelit C dhe kjo është mjaft e rëndësishme sepse deri vjet nuk kemi qenë të renditur. Por pjesmarrja e vitit të kaluar dhe niveli i shfaqur ka bërë që Federata Europiane ta klasifikojë këtë aktivitet dhe njëkohësisht, ky është i vetmi aktivitet në Shqipëri që është i përfshirë në kalendarin e veprimtarive zyrtare të kësaj Federate”-ka thënë Hysa. Natyrshëm, është kënaqësi për secilin prej nesh kur dëgjon se 20 shtete mund të marrin pjesë në këtë aktivitet që zhvillohet në mars në Shkodër por kuptohet që edhe strukturat përkatëse duhet të zgjodhen për të dhënë kontributin e tyre.

www.shkodrasport.com