Në “San Paolo” vjen Roma dhe kjo është një sfidë delikate e kampionatit për të dyja skuadrat. Napoli duhet të konfirmojë konsolidimin si skuadra që do të luftojë Juventusin deri në fund, ndërsa Roma është “me shpatulla pas murit”, shumë larg kreut.

Napolit, pas kësaj sfide , i mbetet vetëm Interi nga rivalët. Kjo ndeshje luhet në fund të vitit dhe deri atëherë do të luajë me skuadra të vogla, ku mundësitë për të marrë pikë janë më të mëdha.

Një skenar që vlen vetëm nëse mund sot Romën. Diçka e tillë nuk ndodh që në vitin 2014 në “San Paolo”. Edhe ecuria fantastike e Sarrit nuk bëri të mundur që Napoli të fitonte me Romën në sezonet e fundit.

Marek Hamshik, pasi theu rekordin e Maradonës me 510 ndeshje, mund të barazojë rekordin e 511 ndeshjeve të Bruskolotit. Por kapiteni nuk është i sigurt në formacion. Te Napoli ka një balotazh mes Albiolit dhe Maksimoviçit në mbrojtje. Nëse i fundit luan në qendër, Hysaj do të jetë patjetër titullar në të djathtë. Në ndeshjen e Championsit me PSG-në, mbrojtësi kuqezi qëndroi në stol.

Dilema tjetër e trajnerit Ançeloti është për sulmin, ku duhet të zgjedhë mes Mertens dhe Milik, me të dytin favorit për të qenë në fushë nga minuta e parë. / Vipsport/