Elseid Hysaj nuk e ka edhe aq të sigurt vendin e tij në formacionin titullar te Napoli, por mes përfaqësuesve të tij dhe klubit italian vazhdojnë negociatat për rinovimin e kontratës aktuale e cila përfundon në vitin 2021.
Mbrojtësi i përfaqësues shqiptare ka qenë ndër lojtarët më të rregullt në fushën e lojës për klubin italian në vitin e fundit, por rroga e tij nuk është në nivelin e titullarëve të tjerë.
Televizioni RAI ka zbuluar detajet më të fundit të negociatave mes palëve të cilat vazhdojnë, pavarësisht diskutimeve për formën e Hysajt apo faktin se rrezikon të humbë vendin tij në formacionin e parë.
Rrjeti televiziv siguron se menaxheri i futbollistit ka kërkuar një rrogë prej 3 milionë eurosh në vit për lojtarin, i nxitur nga fakti se klubet që janë interesuar për të nga Anglia kanë ofruar më shumë se kaq.
Por te Napoli nuk ofrojnë më shumë se 2 milionë euro në vit, të cilave mund t’u shtohen bonuse për paraqitjen e futbollistit dhe arritjet e skuadrës.
Negociatat mes palëve vazhdojë, por për momentin asnjëra nuk lëviz nga pozicionet përkatëse, ndërsa Hysaj për momentin përfiton vetëm 1 milionë euro neto në sezon. /vipsport/