Referuar asaj që raporton media italiane “Sky Sport” është zhvilluar pasditen e të mërkurës takimi në qendrën sportive të Castelvolturno, ndërmjet Mario Guiffredi, menaxher i mbrojtësit shqiptar që luan te Napoli dhe drejtuesve të lartë të klubit napolitan. Një takim që sikurse pritej, ka patur në qendër të vëmendjes të ardhmen e futbollistit të përfaqësueses së Shqipërisë.

Në orët e fundit, ndërkohë janë rikthyer në aktualitet aludimet e merkatos mbi një lamtumirë të mundshme të Hysajt, i cili është nën kontratë me Napolin deri në qershor të vitit 2021 dhe i blinduar me një klauzolë largimi të salduar në shumën 50 milionë euro. Ndërkohë mbrojtësi i djathtë, tashmë jo më pjesë e preferencave dhe planeve të trajnerit Ancelotti, nuk është më i kënaqur me pozitat e lëkundura.

Pasardhësi i Maurizio Sarri e konsideron të barabartë ndaj Maksimovic dhe Malcuit, duke bërë disa herë rotacion, për rrjedhojë duke minimizuar terrenin për Hysajn në raport me dy sezonet e mëparshme të shqiptarit te Napolit. Ndaj, nuk është rastësi që mes klubeve të interesuar për futbollistin shqiptar të Napolit është pikërisht Chelsea që tashmë udhëhiqet nga Sarri.

Drejtuesit e Napolit deri pak kohë më parë kanë refuzuar, duke thënë se ofertat do të pranoheshin vetëm me dëshirën e futbollistit për tu larguar, dhe nëse do të përmbushnin kërkesat ekonomike të klubit. Por jo vetëm Chelsea, pasi në përgjim të shqiptarit është vënë edhe Atletico Madrid./telesport/