Vetëm një ditë më parë u përfol mbi një transferim të mundshëm në ishullin britanik, pasi Manchester United shfaqi gatishmërinë për të paguar klauzolën 50 milionë euroshe të një prej yjeve të Napolit, shkodranit Elseid Hysaj, njëkohësisht edhe futbollist i Kombëtares shqiptare të futbollit.

Por, agjenti i tij Mario Giuffredi, duke folur për “Radio KissKiss” mbi të ardhmen e mbrojtësit shqiptar, ka hedhur poshtë zërat për largimin nga skuadra nënkampione e Italisë.

“Hysaj do të qëndrojë te Napoli, me apo pa Sarrin. Sigurisht që nëse trajneri do të qëndrojë do të mbeteshim të kënaqur, por edhe nëse largohet, presidenti De Laurentiis do të ishte në gjendje të krijonte një skuadër konkurruese për titull. Madje jam i bindur se do ta bëjë diçka të tillë.

E përsëris, do të ishte shumë mirë nëse Napoli do të vazhdonte me Maurizio Sarrin, por Hysaj dëshiron të qëndrojë edhe më tej”, është shprehur agjenti italian i futbollistit shqiptar.

Mediet britanike, të martën e bënë thuajse të sigurtë përpjekjen e United për të kompletuar blerjen e parë të kësaj vere. Mbrojtësi shqiptar, siç theksojnë tabloidet e ishullit mbretëror, e ka konfirmuar veten si një prej mbrojtësve të djathtë më të mirë në Europë këtë sezon, pasi ka qenë tejet vendimtar në luftën për titull të Napolit në Serie A, edhe pse nuk ia dolën dot të shkurorëzonin Juventusin.

Trajneri i Napolit, nga ana tjetër, ka shprehur shqetësim për klauzolën relativisht të ulët të kontratës së Hysajt, e ka nxitur presidentin Aurelio Di Laurentiis ta rinegociojë atë për të nënshkruar një marrëveshje të re me mbrojtësin.