Situata rreth trajnerit të Vllaznisë Shpëtim Duro nuk është shumë e mirë. Që pas eliminimit për kupë me Shkumbinin, ky trajner nuk I ka më pozitat e forta në krye të kuqebluve. Kjo është përforcuar edhe me ecurinë jo të mirë në kampionat teksa në katër ndeshjet e fundit, skuadra që ai drejton ka marrë vetëm dy pikë. Rrjedhimisht kanë filluar pakënaqësitë ndaj tij. Drejtues të klubit thuhet t’I kenë kërkuar të japë dorëheqjen por trajneri kryeqytetas nuk e mendon një gjë të tillë duke thënë se e ka ekipin nën kontroll.
Në kushte të tilla, mbase duhet pritur edhe rezultati I ndeshjes së fundit të fazës së parë të kampionatit, atë me Kastriotin, për të vendosur për fatin e këtij trajneri., I cili me shumë mundësi do të shkarkohet. Drejtuesit e klubit, duke dashur të mos gjenden të papërgatitur për një largim të mundshëm të Shpëtim Duros, thuhet të kenë nisur punën që tani për gjetjen e njeriut që do mund ta zëvendësonte. Madje burime pranë klubit Vllaznia bëjnë të ditur se është “piketuar” zëvendësuesi I mundshëm. Ai është shkodrani Hysen Dedja, trajneri që e ka nxjerrë kampion këtë skuadër 14 vite më parë. Pjestarë të klubit Vllaznia thuhet të kenë kontaktuar ditët e fundit me “Serin” dhe kanë biseduar për këtë çështje dhe ai duket se është I gatshëm për ta marrë këtë detyrë të re.
www.shkodrasport.com