Në ndeshjen e djeshme Vllaznia- Lushnja, stadiumi “Loro Boriçi” ka patur prezent një personazh të futbollit shkodran, ish- futbollistin dhe ish-trajnerin kampion të Vllaznisë Hysen Dedja. Ai sot drejton ekipin e Lushnjes por në konferencën e shtypit të pasndeshjes, më shumë ka folur për Vllazninë sesa për skuadrën e tij aktuale. Dedja ka shfaqur nostalgjinë për këtë rikthim në qytetin e tij të lindjes, njëkohësisht duke shprehur keqardhjen për situatën në të cilën ndodhen aktualisht kuqeblutë: “Të them të drejtën duke parë fotot që ishin në ambjentet e brendshme të stadiumit “Loro Boriçi”, më krijuan një nostalgji. Fotoja e Vllaznisë së viteve ’70, më krijoi shumë emocione, duke parë emrat e mëdhenj që ishin në të, duke parë stadiumin që ishte plot dhe të shohësh sot stadiumin bosh, padyshim që më vjen keq. Më vjen keq për cilësinë e futbollit që luhet sot dhe kjo nuk është vetëm në Shkodër por në gjithë Shqipërinë”.
Sakaq, pyetja e rradhës ka qenë ajo nëse e sheh Vllazninë të rrezikuar për rënien nga Superliga, por Dedja me shumë besim është kundër kësaj ideje dhe këtu ka folur taman si një shkodran kur deklaron: “Nuk do ta mendoja kurrë, kurrë, kurrë që Vllaznia do të jetë në kategorinë inferiore. Ju mund të thoni se Tirana e sezonit të kaluar është një shembull. Problemi i Vllaznisë së sivjetme por edhe i këtyre viteve të fundit, është psikologjik besoj. Mund të ndalem tek brezi jonë, tek brezi para meje, ne që kur kemi filluar stërvitjet në fazë përgatitore, kemi parë kalendarin se cila është ndeshja e fundit që mund të dalim kampion,pavarëisht nëse dilnim apo jo.
Sot nuk është ky mentalitet dhe të gjithë drejtuesit aktualë të Vllaznisë, pikë së pari këtë gjë duhet të ndryshojnë tek skuadra.E përsëris edhe njëherë, për rrezikun që Vllaznia të bjerë nga Superliga, jua përsëris: As që më shkon ndër mend se mund të ndodhë një gjë e tillë. Nuk i takon Shkodrës, këtij qyteti që futbollin e ka fe, që tëjetë një kategori më poshtë”.
© shkodrasport.com