Ish-mbrojtësi i Vllaznisë dhe ish-trajneri kampion me këtë skuadër, Hysen Dedja, është i mendimit se shkodranët kanë në përbërje të saj grupin më të mirë të lojtarëve gjë që të jep garanci për të arritjen e objektivit titull. Megjithatë, nga ana tjetër, në një intervistë për “Panorama Sport”, ai është i mendimit se këta lojtarë duhet të tregojnë më shumë në fushën e lojës. Ai i quan të pakuptimta oshilacionet dhe sidomos lojën me luhatje që skuadra bën me ekipet e ashtuquajtura të vogla. Ai e quan skuadrën shkodrane si një nga skuadrat me kontingjentin më të plotë, ndaj edhe beson te titulli.


Barazimi ndaj Egnatias tregoi edhe njëherë se Vllaznia ka sërish oshilacione?

Mund të them është e pafalshme për një skuadër, e cila kërkon që të jetë kampione, që barazon apo humbet ndaj ekipeve më të dobëta në renditje, e fiton ndaj atyre ekipeve, të cilat janë të denja për titull. Mosangazhimi total ndaj çdo kundërshtari mendoj se sjell edhe këto oshilacione. Tri pikët janë njëlloj dhe nuk ka të fitosh me pretendentet dhe të barazosh apo humbësh me ekipet që në renditje janë poshtë teje.

Për ju është një grup që do të jetë pretendent?

Kudo që kam folur e kam thënë se Vllaznia ka grupin më të mirë të lojtarëve në përbërje. Madje është ekipi që, për mendimin tim, është përforcuar më ndjeshëm nga të gjitha skuadrat. Me të vërtetë Balaj nuk ka shënuar, por dua të them se ai ka sjellë një frymë tjetër besimi në skuadër. Ka sjellë një frymë më optimiste. Prandaj e theksoj se ka një grup, i cili është më i miri dhe më solidi i këtyre viteve të fundit.


Po çfarë shikoni që nuk shkon te kjo skuadër?

Të jem i sinqertë, se lojtarët që me të vërtetë janë profesionistë në nënshkrimin e kontratës, duhet që ta tregojnë atë në çdo takim dhe të mos tregojnë ato oshilacione dhe ato lojëra me hope ndaj një ekipi apo ndonjë tjetri. Prandaj duhet që atë profesionalizëm ta tregojnë në çdo aspekt.

Po mungesat, kanë pasur ndikimin e tyre?

Këtë as që duhet ta marr fare si alibi. Mendoj se Vllaznia është ndër të vetmet skuadra që ka 20 lojtarë. Kanë fituar dy të rinj si Alivoda e Smajli e po të kenë mundësi mund të fitojnë sërish. Ka lojtarë si në fushë e stol. Nga ana tjetër, s’kemi qenë vetëm ne me mungesa. Edhe ekipet e tjera kanë mungesa. Prandaj këtë se shikoj si faktor.

Nëse kërkohet vazhdimësia, çfarë duhet ndryshuar?

E thashë te serioziteti dhe tek impenjimi i atyre lojtarëve, të cilët luajnë në fushën e lojës dhe tek impenjimi që duhet pasur për çdo skuadër, të madhe apo të vogël në letër.


E shikoni këtë skuadër pretendente për titull?

Absolutisht që po. Në këtë kampionat që po zhvillohet them se Vllaznia i ka mundësitë që të dalë kampione, por kjo kërkon një seriozitet në çdo aspekt, jo vetëm në fushë, por në të gjitha gjërat se është mundësia për të dalë kampione. Për të dalë kampione duhet që kjo skuadër të fitojë si brenda, që mendoj se po e bën mirë punën, ashtu edhe jashtë fushe. Tani duhet që të lihen sa më pak pikë.

Në fundjavë ndaj Kastriotit një skuadër që i ka nxjerrë jo pak probleme. Si e shikoni këtë takim? Fitorja, një detyrim?

Më shumë se detyrim. Nuk mendoj se Vllaznia do të gabojë në këtë takim, pasi në këtë periudhë mund të jetë fatale. Kam mendimin se nuk duhet nënvlerësuar Kastrioti, por them se nëse e vlerësojnë drejt nuk ka asnjë dyshim që do të arrijmë te fitorja.