Nëse Vllaznia ka patur një brez të artë sportistësh, padyshim që ka qenë ai i viteve ’80. Hysen Zmijani, Hysen Dedja, Isak Pashaj, Ferid Rragami, Astrit Hafizi, Luan Vukatana, Fatbardh Jera, Fasli Fakja, Viktor Briza, Lulëzim Bersheni, etj, kanë qenë padyshim emra të spikatur jo vetëm të kësaj skuadre por dhe të futbollit shqiptar. Dhe sigurisht që të vjen keq kur konstaton që ky brez ka fituar pak trofe.
Hysen Zmijani për shembull, gjatë karrierës së tij me Vllazninë, për një periudhë 10 vjeçare, ka arritur të fitojë vetëm një titull kampion në sezonin 1982-83 dhe një Kupë të Republikës në vitin 1987.
Vetëm kaq. Mjeshtri i Merituar i Sportit dhe një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë të historisë së futbollit shqiptar, e ka si peng këtë gjë. E thotë edhe në një prononcim për “Shkodra Sport” kur shprehet:
“Karriera ime filloi me trofe. Vetëm në vitin e dytë me ekipin e parë të Vllaznisë, u shpalla kampion dhe fillova të përjetoj shumë ëndërra të bukura por për fat të keq, gjërat nuk shkuan ashtu si duhet. Kemi dhuruar spektakël.
Vërtetë nuk kemi marrë shumë trofe me ekipin e Vllaznisë së viteve ’80 por kemi qenë ekip shumë i mirë. Arsyeja pse nuk ia arritëm të fitonim aq sa duhet, padyshim që kishte të bënte me rivalitetin e madh.
Partizani vazhdonte të përzgjidhte lojtarët më të mirë nga e gjithë Shqipëria duke i marrë ushtar e po ashtu edhe Dinamo ndërsa 17 Nëntori po kalonte një periudhë të mirë. Nuk ishte aspak e lehtë që një ekip rrethesh t’i rivalizonte ato pavarësisht se ne dominonim me lojë e spektakël që dhuronim në fushë”- thotë mjeshtri Zmijani.
©shkodrasport.com