Hysen Zmijani, Mjeshtri i Merituar i Sportit, një nga emrat e mëdhenj të Vllaznisë të viteve `80-`90, ka analizuar në një dalje të tijën në një media lokale të Shkodrës edhe afrimet e bëra në merkaton e verës. Ai nuk është ndalur tek emrat konkretë, por në tërësi e ka quajtur të dështuar merkaton shkodrane. Madje, i ka quajtur edhe të tepërta pagesat që bëhen për lojtarët në tërësi të Superiores.

“Për mendimin tim, Vllaznia gaboi në merkaton e verës duke afruar aq shumë lojtarë dhe me një nivel jo të kënaqshëm. Këtë e kanë treguar pikët e loja që kanë zhvilluar dhe nuk ka shumë nevojë për komente. Kjo ka bërë që situata të mos jetë ajo e kërkuara. Ajo për të cilën më vjen keq është se edhe në vijimësi unë nuk kam shumë pak optimizëm për atë çfarë mund të bëhet. Merkatoja e janarit po afron dhe natyrisht është shumë e vështirë që të ketë lojtarë cilësorë në qarkullim. Të gjithë ata që do të vijnë, janë pikërisht lojtarë të mbetur dhe sigurisht nuk do t’u përgjigjen kërkesave të Vllaznisë. Ndërsa për mendimin tim, lojtarët në Superiore paguhen më shumë nga ajo çfarë japin dhe për dendësinë e ndeshjeve që luajnë brenda një sezoni. I bie që një lojtari mesatar, që paguhet 30 mijë euro, të marrë nga një mijë euro për takim. Këtu janë shumë para, ndërkohë që unë mendoj se lojtarët japin shumë pak”, – ka thënë Zmijani.
Trajneri Për Zmijanin, vendimi i marrë për trajnerin Shpëtim Duro, që të jetë përsëri ai drejtues i kësaj Vllaznie, është quajtur i drejtë. “Për vendimin e marrë nga Lorenc Luka mund të them se është i drejtë. Ai ka bërë zgjedhjen më të mirë për të mos shkarkuar trajnerin Shpëtim Duro për vetë situatën në të cilën ndodhet skuadra. Çdo trajner që mund të vijë pas tij, nuk mund të sjellë ndonjë ndryshim përveç atij që është aktual. Për mendimin tim, Duro e njeh mirë këtë skuadër dhe ai do të dijë që ta motivojë dhe ta vërë në lëvizje. Ndërsa për futbollistët mund të them se është mirë që secili prej tyre të vihet përpara përgjegjësisë. Ndërsa trajneri Duro duhet të ushtrojë më shumë kërkesë llogarie për lojtarët dhe të bëjë maksimumin që situata të kalojë sa më shpejt. Mund të them se askush nuk ndihet komod. Lëvizja që është bërë për të mbajtur po këtë trajner që është, duhet të krijojë dhe efektin e saj pozitiv”, ka deklaruar Hysen Zmijani.
ADMIR URUCI