Shqipëria sonte mund të sigurojë përfundimisht vendin e dytë në grup nëse mund Poloninë, megjithatë kritikat ndaj kësaj skuadre e veçanërisht trajnerit Edi Reja nuk mungojnë. Futbollistë e trajnerë të njohur gjejnë vend e mënyra të ndryshme për të komentuar dhe anametuar zgjedhjet e tij për formacionin, skemat etj.
Por ish- futbollisti i kombëtares shqiptare, i mirënjohur Hysen Zmijani mendon ndryshe. Në një intervistë për “Shkodra Sport” ai është shprehur: “Për kritika ka vend gjithmonë, por stafit aktual të kombëtares shqiptare duhet t’i japim edhe hakun që i takon.
Shqipëria aktualisht ka grumbulluar 15 pikë që nuk i ka marrë asnjëherë në historinë e saj. Edhe me tre pikët e mundshme ndaj Andorës shkon në 18 pikë. Mund te shkoje edhe ne 19 apo 21 pike, e kjo do te ishte historike. Misioni i saj është arritur, ajo e ka fituar Boterorin e saj, por ne kuptohet që tashmë pretendojmë vendin e dytë.
Kjo është një arritje e këtyre lojtarëve, e këtij stafi sepse në fillim të eliminatoreve shumë prej nesh kemi menduar se vendi i katërt do të ishte për ne, ngaqë do ta kishim të vështirë ndaj Hungarisë e Polonisë.
Kurse sot flasim ndryshe. Ka presion se duhet fituar patjetër ndaj Polonisë, por unë mendoj se skuadra duhet të luajë e qetë dhe pa presion. Ajo e ka fituar Botërorin e saj. Sonte thjesht duhet të luajë ashtu siç di të luajë dhe pse jo të besojë tek fitorja.
Ka shumë presion edhe për Brojën. Ne si shkodranë, si veriorë jemi krenarë që kjo zonë, kjo trevë nxjerr një talent të tillë, por nuk duhet ta vëmë në presion kaq shumë sepse gjatë këtyre ditëve vetëm për të po flitet.
Një skuadër futbolli bëhet nga 11 futbollistë që zbresin në fushë dhe të tjerët që janë në stol, plus edhe stafin teknik dhe secili ka kontibutin e tij. Kjo Shqipëri na ka lumturuar të gjithëve dhe shpresojmë që këto momente të bukura të vazhdojnë edhe pas ndeshjes me Poloninë”./SHKODRA-SPORT.COM/