Skuadra shkodrane duhet patjetër që të dalë në lojën e saj duke u bazuar pikërisht tek potencialet që ka në rradhët e saj. Kjo është deklarata e bërë nga ish- futbollisti i saj, i mirënjohuri Hysen Zmijani. Në një prononcim për “Shkodra Sport” ai është shprehur kështu pas humbjes së Vllaznisë në ndeshjen e fundit me Teutën:

“Skuadra nuk funksionoi ashtu si duhet. Sidomos dy lojtarët e qendrës të Vllaznisë tek të cilët i kemi të gjithë sytë, Vucaj e Hasani, nuk e kishin gjendjen e duhur fizike dhe kjo bëri që ata të mos shpreheshin siç duhet. Kuptohet që sytë e të gjithëve janë të përqendruar tek këta dy futbollistë, vlerat e të cilëve i njohim të gjithë dhe nëse ata janë në formën e duhur, besoj se vënë në lëvizje gjithë ekipin dhe i nxjerrin problem çdo kundërshtari. Me durrsakëët nuk ndodhi kështu. Madje, Magani veproi mjaft saktë duke neutralizuar mesfushën shkodrane dhe për këtë duhet të them se ishte një triumf, jo i tij personal por në aspektin kolektiv. Vllaznia mund ta kishte ndëshkuar këtë kundërshtar por dua të them se edhe shansi ishte me Teutën në këtë ndeshje. E rëndësishme është që tek skuadra shkodrane lojtarët titullarë të repartit të mesfushës të vijnë sa më shpejt në formën e duhur dhe po ashtu, të rregullohet edhe diçka në manovrën sulmuese dhe duke i bërë këto, jam i bindur se skuadra do tjetërsohet”.

© shkodrasport.com