Hysen Zmijani, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shkodran, e sheh me nota pozitive Vllazninë e këtij sezoni. Ai, në një intervistë të dhënë për gazeten, analizon me detaje skuadrën kuqeblu, trajnerin dhe lojtarët. Mjeshtri i Merituar i Sportit ka folur edhe për mirëorganizimin që po bëhet me ekipet zinxhir dhe afrimin e elementeve të rinj.

Zmijani e kishit parashikuar pas 10 javësh ekipin e Vllaznisë në këtë pozicion?
Ashtu si shumëkush, edhe unë kam qenë paksa skeptik në fillim, pasi ka qenë me shumë peripeci dhe probleme. Megjithatë, falë punës të drejtuesve të klubit, në veçanti teknikut Canaj, gjërat janë këtu ku janë. Për mendimin tim, ky është pozicioni më i mirë i mundshëm që Vllaznia ka marrë në këto 10 javë kampionat.
Mund të kishte shkuar edhe më tej kjo skuadër?
Nëse do të ishte treguar më e kujdesshme dhe këmbëngulëse në Shkodër, ekipi mund të ishte edhe më mirë me pikë. Kemi lënë shumë pikë në Shkodër, gjë që ekipet pretendente nuk e kanë bërë.
Një Vllazni me më shumë shkodranë cilësohet prej jush si çelësi i suksesit…
Pa diskutim që po. Në të shkuarën kishte vetëm pak vendës, ndërsa sot ndodh e kundërta. Unë nuk kam qenë për lojtarë jo shkodranë në përbërje të Vllaznisë. Kemi kaluar sezone kur kemi pasur 10 apo edhe 13 të huaj, diçka paradoksale për këtë qytet, që ndër vite ka prodhuar lojtarë jo vetëm për vete, por edhe për ekipet e tjera dhe atë kombëtar.
Si e gjykoni brezin e ri shkodran dhe punën që po bëhet me akademinë?
Po, është një gjë e bukur teksa shikon sesi nga viti në vit ka një rritje dhe masivizim të këtij sporti në këtë qytet, por edhe në veri. Unë shikoj sesi po punohet sot në Shkodër e sidomos tek ajo që është furnizuesja e ekipit të parë, pikërisht tek ekipi i të rinjve të Vllaznisë. Këtu po shikoj se po punohet fort. Në gjirin e 19-vjeçarëve, të cilët drejtohen nga Luan Zmijani, ka elementë që shumë shpejt do e thonë fjalën e tyre me ekipin e parë. Unë shpresoj se, me atë që po punohet shumë shpjet në Shkodër, nuk do të ketë si në këtë sezon shumë nevojë për lojtarë të huaj. Mund të vlerësoj disa lojtarë, por për etikë nuk kërkoj që t’i jap me emra të veçantë.
Ju i vlerësoni të huajt që këtë sezon janë pjesë e Vllaznisë?
Mund të them se Vllaznia si në asnjë sezon ka bërë një menaxhim të duhur. Ka bërë pak afrime nga jashtë, por që të gjithë lojtarë cilësorë. Nuk mund të flas për Vujadinoviçin dhe Rajoviçin, pasi vlerat e tyre njihen, por mund të them fjalët më të mira edhe për Bushiçin. Unë nga i gjithë ekipi e vlerësoj këtë lojtar, pasi ai është një futbollist i zgjuar dhe tepër nuhatës. Nuk ka ndonjë nivel të lartë të përgatitjes fizike. Nëse do e kishte pasur edhe një gjë të tillë, ai do të ishte një lojtar absolut në vijën e sulmit. Ai është afrimi më i goditur i kuqebluve.
Me atë që ka dhënë deri tani Vllaznia, mendoni se mund të jetë pjesë e Kupave të Europës?
Nëse do të tregohet më e kujdesshme dhe më pak altruiste në takimet brenda dhe do ruajë këtë ritëm dhe lojëra efikase në transfertë, mund t’ju them pa frikë që ekipi i Vllaznisë do jetë në Kupat e Europës. Megjithatë mendoj se edhe drejtuesit e klubit po veprojnë drejt, kërkojnë të jenë me këmbë në tokë dhe të kujdesshëm. Unë mendoj se kështu si po punohet dhe mendohet për këtë skuadër, do të jetë në zonën “Euro” në fund të këtij sezoni.
Së fundmi, po flitet për një rikthim në dorë të biznesmenëve të këtij klubi. Ju jeni pro kësaj?
Natyrisht që jam pro një rikthimi të tillë. Pavarësisht se bashkia po përpiqet të bëjë maksimumin, përsëri mund të them se është ndryshe menaxhimi i një klubi kur ka vetëm një individ, pasi atij do i “djegë xhepi”. Për mendimin tim, si Fushaj, apo ndonjë biznesmen tjetër që mund ta marrë Vllazninë, do të bëjë që ky klub të ketë rezultate edhe më të larta.

Admir URUÇI