Ai hyn në rradhët e “kritikëve”. Jo se ka dëshirë të kritikojë por sepse ka dëshirë ta shohë mirë e më mirë Vllaznisë. E kemi fjalën për Hysen Zmijanin, një nga emrat më të shquar të historisë së këtij klubi. Atij nuk i pëlqen aspak fakti që kjo skuadër e cila gjithmonë është mbajtur me lojtarët e vet, të blejë 12 futbollistë. Duke folur në lidhje me këtë çështje, ish-mbrojtësi i djathtë i skuadrës shkodrane dhe i kombëtares shqiptare, do të shprehej: “Për këdo që e sheh nga jashtë, sigurisht që nuk i vjen mirë kur dëgjon se Vllaznia ka bërë 12 blerje dhe jo më ne që jemi pjesë e historisë së këtij klubi.

Unë mendoj se çdo trajner që vjen nga jashtë Shkodre, këtë synim do ketë dhe është logjike sepse ai kërkon rezultatin dhe nuk dëshiron të merret me strategji afatgjate. Trajnerët duan të marrin rezultatet momentale sepse ky është interesi i punës së tyre. Duhet të jetë klubit që duhet të vendosë piketat për këtë gjë dhe jo të mendohet sot për sot. Edhe vjet kështu thamë, blemë këtë apo atë lojtarë dhe i larguam si të padëshirueshëm. Edhe sivjet kështu po veprojmë, madje kemi shtuar edhe buxhetin por sërish kemi filluar të themi se ky apo ai lojtarë nuk bëjnë. Për fat të mirë, në këto dy ndeshjet e fundit Vllaznia mori pikët dhe shpresojmë që të marrë pikët maksimale edhe në Berat. E rëndësishme për momentin është marrja e pikëve sepse me lojë ende nuk jemi kënaqur por shpresoj që ajo të vijë duke u rregulluar rrugës”.
www.shkodrasport.com