Ditët e fundit në media, futbollistë të ndryshëm të Vllaznisë kanë folur për aleanca të ekipeve të tjera në dëm të tyre. I pyetur në lidhje me këtë gjë, mjeshtri i njohur Hysen Zmijani ka shkuar edhe më tej duke e analizuar si fenomen të dëmshëm për futbollin shqiptar duke thënë: “Më vjen keq që dëgjon të flitet për aleanca kundër Vllaznia por futbolli shqiptar kështu është ndërtuar tashmë. Lexojmë e dëgjojmë çdo ditë akuza për trukime ndeshjesh dhe sigurisht që si ish- futbollista ndjehemi keq. Shkojmë në stadium, ashtu si ne edhe tifozët për të ndjekur një spektakël dhe konstaton tjetër gjë në fushën e lojës. Për këtë të vjen keq.

Presidentat e ekipeve duket se e dojnë suksesin me buton. Sot i kërkon ekipit të luajë dhe të fitojë ndaj një ekipi, nesër i thotë se duhet t’ia lërë një ekipi tjetër. Besoj se një situatë e tillë i ka çorientuar tërësisht edhe futbollistët të cilët janë më të paragjykuarit në këtë mes ndonëse ata janë thjesht punëtorë në këtë mes. Kjo sepse futbollistin nuk mund ta motivosh atëherë kur do ti”. Duke folur për ecurinë e Vllaznisë në këtë fazë të dytë, Zmijani ka ngritur një shqetësim: atë të heshtjes së klubit shkodran për padrejtësitë që i bëhen skuadrës në fushë. “Vllaznia ka përmirësuar shumë gjëra në fazën e dytë. Ka bërë paraqitje shumë të mira në ndeshje të veçanta por edhe ndeshje të dobëta si ajo e Gjirokastrës apo dhe e fundit në Laç. Megjithëse tek kjo e fundit unë do ndalem edhe tek një problem tjetër, ai i gjykimit të kësaj ndeshje. Kur të gjitha moviolat e japin që të dy golat e Laçit janë të parregullt, kur nuk i jepet një 11-metërsh i pastër Vllaznisë, atëherë çfarë duhet të presim. Ne s’po themi të reagojmë ashpër në fushën e lojës por pas saj, në mënyrë institucionale klubi Vllaznia duhej të reagonte. Më parë kemi paragjykuar ndoshta Kujtim Shabën që dilte e kërkonte të drejtën e munguar të skuadrës shkodrane ndërsa tani po heshtim. Pse ndodh kjo, nuk e di. Në Federatë ndoshta kanë simpati për Vllazninë por kjo simpati ka shkuar tek urtësia për të mos kontestuar asgjë”- ka thënë ai ne prononcimin e tij per gazeten online www.shkodrasport.com. Pavarësisht vlerësimit për ndryshimin në fazën e dytë Hysen Zmijani është i mendimit se Vllaznia ka pak shanse për të zënë një vend që do ta çonte në Kupat e Europës dhe në fund do shtonte:  “Shpresat për të shkuar në Europë unë i shoh të pakta, prandaj duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Ndoshta është momenti për të rinovuar skuadrën, për të promovuar elementin e ri megjithatë do jetë stafi i Vllaznisë që do vendosë për këtë gjë”.
Gjergj KOLA