Një nga figurat e shquara të futbollit shkodran dhe atij shqiptar- Hysen Zmijani, ka fajësuar klubin shkodran për situatën në të cilën gjendet 90 minuta para fundit. Sipas “Mjeshtrit të Merituar të Sportit”, Vllaznia është treguar amatore, duket e degraduar deri në këtë pikë. Edhe pse me keqardhje, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai thotë që do të jetë Tirana ajo që do të bjerë nga kategoria. Vllaznia rrezikon dhe ju e kishit parashikuar këtë që pas ndeshjes me Korabin.

Dy pikët e lëna me Korabin po qahen ende sot. Unë e kam thënë që klubi nuk duhet të mendonte vendin e 4-t, por të siguronte njëherë matematikisht mbijetesën. Vetë mënyra sesi luhet një kampionat dhe aleancat që ekzistojnë në skuadrat me president dhe ato pa president, të bënin gjithnjë e më shumë pesimist, për të thënë se nuk do të rrezikojmë deri në fund.
Edhe pse është një javë e tërë për t’u luajtur, ju mendoni se njëra mes Vllaznisë dhe Tiranës do të bjerë?
Me shumë keqardhje mund  të them se njëra prej tyre do të jetë në Kategorinë e Parë. Aleancat që janë bërë e do të bëhen nuk e vënë në dyshim një gjë të tillë. Është një keqardhje e madhe, e dalë edhe nga goja ime një gjë e tillë, por ky tani është realiteti.
A ju vjen keq që një prej dy klubeve më me histori do të ketë këtë fat?
Normalisht, janë dy emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar. Por tani futbolli është i tillë që edhe ndodhin të tilla gjëra, i ndodhi dhe Juventusit. Si Tirana e Vllaznia, për vetë historinë që kanë, nuk duhet që të shkonin deri në këtë pikë.
Ku gaboi Vllaznia që përfundoi deri në këtë pikë?
Mendoj se pikërisht në takimin që u mendua më i lehti, atë me Korabin. Lojtarët u treguan amatorë. Lamë dy pikë që tani rezultojnë decizive. Menduan se pas paraqitjeve me ekipet e Kukësit e Partizanit gjithçka kishte përfunduar dhe po kërkonin vendin e katërt, madje flisnin edhe Europën. Këtu gabuan lojtarët dhe stafi.
Pra janë lojtarët ata që kanë gabimin pse shkoi situata deri këtu?
Kurrsesi që nuk janë vetëm ata, pasi gjërat nuk funksionuan në kompleks. Këtu kemi me një drejtim amatoresk të klubit. Pas dy ndeshjeve të mira shkuan në delir dhe filluan të shikojnë përpjetë. Më pas gjithçka ndryshon. Kënaqen se skuadra merr pagat, por duhet të dinë që futbolli sot është kompleks, duhet që shumë gjëra të shkojnë në sinkron me njëratjetrën. Janë shumë komponentë që duhen bërë bashkë. Po vuajmë menaxhimin që po i bëhet këtij klubi prej 5 sezonesh, që e ka bashkia.
Çfarë duhet bërë që të ndryshojë kjo gjë?
Ndoshta tani ka ardhur koha të ndahet “shapi nga sheqeri” dhe gjërat të marrin zgjidhjen përfundimtare. Goja nuk ma nxë, por ndoshta ka ardhur koha që të ketë një vit të humbur për të rregulluar të ardhmen. Unë nuk ia dëshiroj këtë Vllaznisë, por ndoshta i duhet si mësim. Por edhe për Tiranën do të thosha të njëjtat fjalë.
Në Shkodër do të shohim një “klasike” mbijetesë, cila është më e rrezikuar sipas jush?
Fatkeqësisht, nisur nga aleancat e prapaskenat, njëra nga këto të dyja do të jetë në të Parën. Unë them se do të jetë Tirana ajo që do të bjerë. Këtë e them me një keqardhja të madhe, pasi janë dy klube plot histori.Por, unë besoj se djemtë e Vllaznisë, të cilët na dhanë jo pak kënaqësi këtë sezon, do të dinë t’i korrigjojnë gabimet në këtë takim final. Do të jenë 90 minuta ankthi, ndaj u bëj thirrje tifozëve që të jenë të shumtë për të mbështetur ekipin.