Sulmuesit në kampionatin shqiptar nuk është se kanë kaluar edicionin më të mirë këtë vif. Të pakët janë numrat “9” që kanë shkëlqyer ku mund të përmendim emra si: Guindo apo Pedro e Skuka. Pavarësisht se golashënuesi më i mirë i kampionatit është Taulant Seferi me 15 gola, 25-vjeçari është një sulmues krahu në rolin e tij natyral.

Por një futbollist që ka shkëlqyer me gola që prej ardhjes në janar tek ekipi i Teutës është Rubin Hebaj. Shkodrani është shndërruar në njeriun kryesor të “djemëve të detit”.

8 golat e tij po e mbajnë Teutën larg zonës së ftohtë momentalisht dhe duket se 23-vjeçari është lideri real i durrsakëve. Madje këtë e vërtetuan edhe 3 golat në javën e kaluar kundër Kukësit në fitoren 4-1.

Ish-sulmuesi i Vllaznisë është shënuesi më i mirë në kampionat që pas janarit. Në kuotën e 8 golave me të rivalizohet vetëm Redon Xhixha. Edhe sulmuesi i Tiranës ka shënuar 8 gola që nga janari deri më tani në kampionat. Pas tyre vjen Seferi i cili gjatë kësaj periudhe ka shënuar 7 gola e më pas Skuka me 7 gola e Junior po me 7 të tillë.

Duket se Hebaj për momentin gëzon formën më të mirë në karrierën e tij pavarësisht se Teuta nuk po lufton për vendet e para të renditjes. Sulmuesi ka ditur të shfaqë vlerat e tij dhe me shumë mundësi në fund të sezonit ndoshta do e shohim në një skuadër më të fortë se bregdetarët.
Endri ÇINARI