Vllaznia e nisi merkaton me kapitenin e Prishtinës, Lorik Boshnjaku, i cili firmosi për dy vite me kuqeblutë, por gjasat më të mëdha janë që edhe goditja numër dy të vijë pikërisht nga klubi më i madh në Kosovë. “Panorama Sport” mëson se trajneri Mirel Josa u ka kërkuar drejtuesve të bindin fantazistin Endrit Krasniqi.27-vjeçarit i ka përfunduar kontrata me Prishtinën dhe është tashmë lojtar i lirë.
Krahas Vllaznisë, për mesfushorin ofensiv kanë shfaqur interes konkret më parë edhe Tirana e Partizani, por gjithashtu Llapi i Podujevës në Kosovë, që është pjesë e Ligës së Konferencës.
Mediat kosovare kanë raportuar së fundmi se Krasniqi është i dyzuar për të ardhmen, pasi përveç këtyre klubeve, ka marrë edhe një ofertë për rinovim të kontratës nga Prishtina. Vetë lojtari, përmes një njoftimi në rrjetet sociale i ka dhënë lamtumirën Prishtinës.
“Çdo fillim e ka edhe fundin. Ka qenë nder dhe privilegj për mua që të vesh fanellën e Prishtinës në dy periudha të ndryshme.
Jam krenar që kam arritur ta ndihmoj ekipin në fitimin e të gjithë trofeve të mundshëm në futbollin e Kosovës. Shihemi së shpejti në një ambient të ri”, ka thënë Krasniqi.
Ky i fundit është një numër 10 tipik dhe nga trajneri Josa shihet si zëvendësuesi ideal i brazilianit Viktor da Silva, i cili nuk ka pranuar rinovimin me Vllazninë dhe pritet të firmosë me Partizanin.