Nga Endri ÇINARI
Merkato tek Vllaznia po “vlon” në këto momente, ku përveç afrimeve ka edhe largime. E po ashtu edhe shumë pikëpyetje që ende s’kanë përgjigje në kampin kuqeblu. Një prej tyre është edhe Esat Mala, mesfushori të cilit i ka skaduar kontrata. I “harruar” disi këtë periudhë, e ardhmja e tij duket e paqartë.
Klubi dhe lojtari nga Prizreni ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për vijimin e bashkëpunimit. Ku duket se ka një hezitim nga të dy palët për të rinovuar. Pavarësisht se Mala është shprehur shpesh herë se do donte ta vijonte karrierën e tij në Shkodër. Ku është ndjerë mjaft mirë në qytetin verior e me ekipin e Vllaznisë.
Aktualisht 25-vjeçari po shijon pushimet me familjarët e tij. Dhe më shumë për të ardhmen e ish-mesfushorit të Partizanit pritet të mësohet në momentin kur ai do kthehet në Shkodër. Numri 20-të ka qenë një ndër futbollistët më të spikatur të Vllaznisë dhe kampionatit në sezonet e fundit. Ku gjatë kësaj periudhe e kanë shoqëruar edhe dëmtimet.
Nga sa mëson gjithashtu “Shkodra Sport” nga kjo “tymnajë” rreth situatës së Males tek Vllaznia duan të përfitojnë klubet e rajonit. Ku Suhareka që kërkon të ndërtojë një ekip serioz në Superligën kosovare e po ashtu Prishtina po bëjnë sondazhe për mesfushorin. Gjithashtu nuk mungojnë as admiruesit nga Maqedonia e Veriut me skuadra si Shkëndija apo Struga që interesohen për shërbimet e Males./www.shkodrasport.com/