Douglas Kosta është një çështje te Juventusi. Braziliani është një futbollisti shumë i kushtueshëm për bardhezinjtë, ndërkohë që në fushë nuk e ka përligjur investimin. Ai nuk i kalon 800 minuta aktivizim në kampionat dhe Champions League, ndaj dhe drejtuesit e Juventusit janë të pakënaqur.
Në fakt, kualiteti i brazilianit nuk vihet në diskutim. Por këtë sezon, për shkak të dënimit prej 4 javësh për pështymën ndaj Federiko Di Françeskos të Sasuolos, aksidentit me makinë dhe një serie të gjatë problemesh fizike, Douglas Kosta ka luajtur 626 minuta në Serinë A dhe 160 minuta në Champions.
Në një nga konferencat e fundit për shtyp, trajneri Alegri ka lëshuar një batutë për brazilianin: “Douglas? Tani nuk e di, nëse është biond apo brun”.
Braziliani paguhet 6 milionë euro neto në sezon dhe nëse bën një llogari të thjeshtë, i bie që ish-lojtari i Bajernit të fitojë më shumë se 8.500 euro në minutë. Nëse limitojmë kampionatin, shifra shkon në rreth 10.000 euro. Pas këtij sezoni të dobët, emri i Douglas Kostës figuron në listën e atyre që pritet të largohen/
Juventusi pagoi 48 milionë euro te Bajerni për të në vitin 2017, por kuptohet që nuk është e lehtë të ta shesë po me këtë shifër. /Vipsport/