Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç u shfaq tepër i lumtur për triumfin 3-1 që skuadra e tij arriti në shtëpi ndaj Egnatias. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, tekniku i skuadrës shkodrane deklaroi:

“Jam krenar për këtë ndeshje përballë një ekipi si Egnatia. E kemi përballuar këtë ndeshje taktikisht dhe mentalisht, ishte gjithçka në maksimum sot. Kemi bërë një performancë mjaft të mirë. Kemi sakrifikuar shumë ndeshjen e kaluar dhe lamë pikë, nuk na pëlqen që të humbim normal. Në mendje momentalisht kam lojtarët si Qato që bëri një ndeshje mjaft të mirë.

Ishte një performancë shumë e mirë nga ne. Në detaje duhet analizuar ndeshjen, për të parë se çfarë duhet të bënim më mirë. Ishim në shtëpinë tonë para tifozëve, jam shumë i gëzuar.

Sulmues që mund t’i zërë vendin Balajt? Kemi vendosur të gjithë bashkë për skuadrën. Jam i lumtur me lojtarët që kam dhe shpresoj që secili prej lojtarëve të jetë mirë. Shpresoj që të kemi një balancë të mirë në ekip në ndeshjet e ardhshme”, tha trajneri Brdaric, për emisionin “Super Gol” në RTSH.