Janari do të jetë një tjetër muaj “në lëvizje” për Frederik Veselin. Një titullar fiks në radhët e përfaqësueses shqiptare, mbrojtësi duket se nuk gëzon të njëjtin besim në klubet ku luan dhe eksperienca e tij te Salernitana, të cilës iu bashkua pak muaj më pare, do të mbarojë para kohe.
Veseli, që kur iu kundërpërgjigj tifozëve të Empolit që e kritikuan në stadium për paraqitjet e tij, nuk ka gjetur më qetësi. Nga kapiten, ai u kthye në të padëshiruar te Empoli dhe për fatin e tij të keq, eksperienca te Le Mansh në Francë u mbyll pa shumë sukses për shkak të COVID-19 që ndërpreu kampionatet atje.
Mbrojtësi u kthye në Itali te Salernitana, por ndryshimet e vazhdueshme të trajnerëve në klub dhe mungesa e rezultateve e kthyen atë përsëri në një nga lojtarët që klubi po mendon të largojë në janar.
Sipas mediave italiane, emri i Veselit është i pari në listë dhe pritet që mbrojtësi shqiptar t’i japë lamtumirën këtij klubi, për të gjetur një tjetër skuadër, mundësisht në Itali.
Qëndrimi në këtë kampionat do t’i garantonte vazhdimësinë në radhët e kuqezinjve, ku Edi Reja e sheh atë si titullar të padiskutueshëm. Në ndeshjet e Ligës së Kombeve, mbrojtësi ka luajtur si titullar 5 nga 6 ndeshjet, duke munguar vetëm në sfidën e humbur ndaj Lituanisë në “Air Albania”. /vipsport/