Briken Calja është padyshim sportisti i vitit që lëmë pas. Për herë të parë peshëngritësi nga Shtërmeni fitoi një medalje të Artë Botërore në sportin e peshëngritjes, duke bërë historinë në një disiplinë që i ka dhënë tradicionalisht Shqipërisë arritjet më të mëdha në arenën ndërkombëtare.
Ky ndërrim vitesh ndërkohë, e gjen Briken Caljan me një tjetër lajm të shkëlqyer. 31 vjeçari ka ndarë gëzimin me ndjekësit e shumtë në rrjetet sociale teksa shkruan në profilin e tij.
Një lajm i mirë mbërriti këtë mëngjes: Testet antidoping dolën duke treguar pastertinë dhe vërtetësinë e medaljeve historike të Botërorit të fundit.
Jam jashtëzakonisht i lumtur që medaljet e arit dhe të argjendit certifikohen si të Shqipërisë, të shqiptarëve dhe personalisht të miat.
Zyrtarisht Kampion Bote në shkëputje dhe nënkampion në shtytje dhe dygarësh.
Një frymëmarje çlirimi, kjo jo më shumë për Caljen, se sa për të gjithë të apasionuarit e sportit të peshëngritjes dhe jo vetëm. Calja u shpall kampion Bote në Kazakistan pak javë më parë, por jo rrallë në të kaluarën, Shqipëria është njollosur nga dopingu, duke sjellë edhe revokim medaljesh, çka kishte krijuar edhe skepticizmin për të mbetur në ankth edhe pas paraqitjeve të mëdha, pak a shumë si në futboll kur shënohet një gol dhe të gjithë presin konfirmimin e VAR.
Gjithsesi tanimë Calja ka hedhur poshtë edhe këtë skepticizëm, me arritjen më të madhe në sportin shqiptar, çka konfirmon se hijet e dyshimit për peshëngritjen mund të konsiderohen pjesë e një të kaluare për t’u arkivuar. Për vetë peshëngritësin dhe kolegët e tij ndërkohë, para është një Vit i Ri, me shumë sfida të reja dhe padyshim në fokus për të ardhmen më afatgjatë, edhe një medalje ari olimpike!