Një tjetër futbollist shqiptar mund të bëhet pjesë e elitës së futbollit italian që në ditët e ardhshme dhe bëhet fjalë për një lojtar i cili ka shkaktuar jo pak bujë edhe në vendin tonë.

Kristo Shehu, sulmuesi i Panathinaikos, ka përfunduar në orbitën e Bolonjës që po mendon ta afrojë që sot, në ditën e fundit të merkatos së janarit.

Sipas mediave italiane, Valter Sabatini po monitoron sulmuesin e datëlindjes 2000 dhe e sheh si një investim për të ardhmen. Djaloshi ka shkëlqyer me moshat dhe shpesh është bërë pjesë edhe e ekipit të parë të Panathinaikos.

Ndaj monitorimi i klubit italian për një futbollist me perspektivë, duket i justifikuar, edhe pse për momentin skuadra e drejtuar nga Mihajloviç ka nevojë për futbollistë të gatshëm që ta ndihmojnë të qëndrojë larg zonës së ftohtë.

Shehu ka bërë shumë bujë me zgjedhjen e tij për të përfaqësuar Greqinë U19, pasi kishte veshur më parë fanellën e U17 të Shqipërisë. Por ai vetë ka bërë të ditur se nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë dhe cilën përfaqësuese do të zgjedhë përfundimisht pasi preferon të fokusohet te karriera në klub për momentin./vipsport/