Antonio Conte thotë se Chelsea duhet të mbetet pozitiv edhe pse shorti i Champions League i ka dhënë një kundërshtar të fortë si Barcelona. Chelsea është çiftëzuar me kryesuesit e La Liga-s në shortin e 16 skuadrave të fundit të kompeticionit më prestigjioz evropian që u hodh në Nyon të Zvicrës të hënën. “Reagimi ynë duhet të jetë pozitiv,” shprehet trajneri Conte në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së Premier League ndaj Huddersfield Town.

“Siç e dimë shumë mirë, kur je në këtë fazë duhet të jesh gati të përballesh me këdo. Në këtë rast duhet të jemi gati të përballemi me Barcelona-n. “Kur luan ndaj Barcelona-s duhet të japësh 120% si brenda ashtu edhe jashtë fushe nëse do të shkosh në raundin tjetër. “E shkuara është e shkuar. Këtë sezon do të jetë një tjetër histori. “Mendoj se kjo ndeshje është një mundësi e mirë për çdo lojtar të tregojë vlerën e tij. çdo lojtar duhet të luajë në mënyrën e duhur.”Kampionët në fuqi të Premier League janë 14 pikë larg kryesuesve të Manchester City-t në kampionatin anglez pas humbjes ndaj West Ham të shtunën.