Vllaznia do të luajë kundër irlandezo-veriorëve të Linfild në Ligën e Konferencës. Dikur këtë skuadër e eliminonte Tirana. Në vitin 1982 bardheblutë fitonin 1-0 në shtëpi me golin e Agustin Kolës dhe në ndeshjen e kthimit u mundën 2-1 (gol Arben Minga), por u kualifikuan me rregullin e golit në fushë kundërshtare.
Ish-sulmuesi i Tiranës dhe i Kombëtares, Agustin Kola, për “Panorama Sport” eshte shprehur se Vllaznia do ta ketë të vështirë ndaj irlandezo-veriorëve. Sipas tij, Linfild është një skuadër që luan si anglezët.
Kola, e mbani mend golin kundër Linfildit më 15 shtator të vitit 1982?
Mbaj mend që kur ra shorti e kishim mendjen të mos pësonim shumë gola. Nuk i njihnim, por u mobilizuam dhe ia dolëm.
Sipas jush, e kalon dot Vllaznia këtë kundërshtar apo jo?
Do ta ketë të vështirë, por jo e pamundur. E them këtë, sepse ata luajnë me stilin anglez dhe vrapojnë deri në minutën e 90-të. Janë shumë fizik si ekip, por me pak sakrificë dhe fat mund t’ia dalin.