Egli Kaja u largua verën e kaluar nga klubi i ACF Uimbëlldon si lojtar i lirë për të firmosur një kontratë afatshkurtër me Northempton, ekip që militon në Ligën e Dytë angleze. Problemet e shumta fizike të tij nuk e kanë bindur ekipin e ri të rinovojë përsëri këtë merkato.

Kaja nuk ka arritur të fitojë besimin e trajnerit dhe që nga ky muaj do të jetë lojtar i lirë, me Northempton që deklaron se do e lejojë sulmuesin të stërvitet me ekipin. 22-vjeçari regjistron vetëm katër ndeshje këtë sezon, të gjitha si zëvendësues, pa arritur të lërë asnjë shenjë.

Në lidhje me shqiptarin ka folur edhe trajneri i ekipit, Keit Kërli, që ia bën gjërat të qarta. Ai deklaron se firmosën me Kajën duke parë talentin e tij, por dëmtimet e shumta nuk e bindin klubin të rinovojë me sulmuesin e krahut.

“Unë fola me Eglin. Ai erdhi në klubin tonë për shkak të talentit që ne pamë te ai. Fatkeqësisht ai ka pasur një sërë dëmtimesh, që do të thotë se ne nuk kemi pasur mundësi ta shfrytëzojmë dhe ta fusim në fushë.

Do të kujdesemi për të dhe ai do stërvitet në ambientet tona, por ne nuk do e zgjasim kontratën e tij. Ne do e monitorojmë situatën e tij dhe do të shohim në vazhdim”, deklaron trajneri. /Vipsport/