Trupi I pajetë I Agim Tafilit ka mbërritur paraditen e djeshme në Shkodër nga Greqia. Në qytetin e tij hidhërimi ka qenë I madh tek të gjithë. Në moshën 52 vjeçare ai la në mes shumë ëndërra. Ai vdiq me ëndërrën e madhe ta shihte djalin e tij duke luajtur me Vllazninë. Alsidi ka qenë ëndërra e madhe e kampionit të biçikletës. E bëri futbollist, deshi ta shihte një ditë duke luajtur me Vllazninë por nuk ia arriti dhe me siguri me këtë brengë do të ketë mbyllur sytë.

Vllaznia për Agim Tafilin ishte PERENDIA. “A e din se sa emër të madh ka Vllaznia”-më thoshte shpeshherë ai kur bisedonim për sportin. Për këtë Vllaznia në fakt ai kishte dhënë shumë. Tituj kampion si individë dhe si ekip. Bashkë me vëllain e tij Sytkinë, Brahim Sykjen etj, në vitet ’80 ishin krenaria e Shkodrës. Një qytet i tërë ishte tifozë me ta. Me qindra e mijëra vetë ndiqnin me ankthin më të madh nëpërmjet edicioneve të lajmeve në Radio Tirana etapat e Rretheve Çiklistike dhe krenoheshin kur dëgjonin për triumfet e Agimit me shokë.Pas viteve ’90, iku në Greqi, aty ku dhe mbylli sytë për herë të fundit. Por ai kujtohet sërish nga miqtë e tij.

Miqtë nga Tirana:

Fedetara Shqiptare e Çiklizmit e ka vuajtur shumë ndarjen nga jeta të njërës prej figurave më të mëdha të këtij sporti. Drejtuesit e lartë të saj, kanë angazhuar të gjitha strukturat e shtetit për t’I bërë pritjen që duhej Agim Tafilit. Makinat e policisë e kanë pritur në pikën doganore të Kakavijës mëngjesin e djeshëm dhe e kanë shoqëruar arkivolin e tij deri në Shkodër, tek familja e tij.Skënder Anxhaku, presidenti I Federatës Shqiptare të Çiklizmit nuk e ka përmbajtur dot veten. Në ato fjalë që ka thënë, më shumë ka nxjerrë lotë sesa ka thënë ndonjë gjë. E ka vuajtur shumë ndarjen nga jeta të mikut të tij të ngushtë dhe prandaj I ka bërë thirrje të gjithë instancave shtetërore për ta nderuar ashtu siç duhet këtë figurë të madhe sportive. “Agim Tafili I la Shqipërisë një vepër shumë të madhe. E kjo vepër është mjeshtëria e tij e madhe, legjenda e sportit shqiptar. Ndjehem shumë keq, për njeriun që e kam dashur aq shumë, një njeri që më dha një ndihmesë shumë të madhe në Federatën e Çiklizmit dhe duhet që jo vetëm ne si Federatë, por gjithë shteti shqiptar, gjithë Shkodra duhet t’I japim lamtumirën e fundit dhe duhet ta nderojmë për ato vlera e merita që ka patur.Nuk kam fjalë ta përshkruaj ashtu siç duhet Agim Tafilin”-ka thënë me shumë vështirësi përmes lotësh presidenti Anxhaku. Ndërkohë Abedin Guzja, ish-kolegu I tij tek Partizani, do të shprehej: “Kam patur fatin të jem në një ekip me të. Kur ka ardhur tek Partizani, kam qenë kapiteni I kësaj skuadre dhe sigurisht që ky sportist, ky njeri na bëri të gjithëve për vete. Humbja e tij është një keqardhje e madhe për të gjithë ne sepse kemi humbur mikun tonë, shokun tonë dhe prandaj nuk do jetë e lehtë për ta zëvendësuar. Agim Tafili mbetet legjenda e Shkodrës, legjenda e gjithë Shqipërisë”. Po aq I mërzitur dhe I përlotur ka qenë edhe Agron Huqi, rivali I madh I Agimit në biçikletë, por miku I madh I tij në jetë e për këtë thotë: “Ndjej keqardhje të madhe për Gimin, sepse e kam patur shokun më të mirë në sport por edhe jashtë tij sepse kemi shkuar jashtëzakonisht mirë. Kur e mora vesh që ai kishte vdekë, mbeta pa fjalë. Nuk dija çfarë përgjigje t’I jepja shokut që më lajmëroi. Ka qenë një çiklist I papamë, djalë I papam, familjar I rregullt, me të gjitha vetitë që një sportist duhej t’I kishte. Gimi ka qenë djalë që unë kam pasë respekt të veçantë edhe kur neve bënim gara, edhe kur ne konkurronim me njëri-tjetrin. Por sa zbrisnim nga biçikleta kemi qenë vëllezër e kaluar vëllezërit, saqë edhe gjyqtarët kur na shihnin në tavolinë kur hanim bukë bashkë thoshin si ka mundësi që në momente të caktuara bënim debat për hirë të sportit dhe pas garës shihnin tek ne natyra të tjera. Një humbje e madhe për të gjithë ne”. Edhe Agron Tafilica ka mbërritur nga Tirana për të nderuar mikun e tij të mirë për të cilin thotë: “Humbëm më të mirën e çiklizmit që kishim ne”.

Vëllezërit, Sytkiu dhe Shkëlqimi

Dhimbja tek ta ka qenë e madhe. Kanë humbur vëllanë por edhe shokun e tyre të ngushtë. Sytiku dhe Shkëqimi, dy vëllezërit e Agimit kanë pranuar të flasin dy fjalë për këtë ngjarje shumë të rëndë në familjen e tyre. “Një ngjarje e rëndë, sepse ishte shumë I ri. Një dhembje e madhe jo vetëm për mua por për të gjithë sepse ka qenë vëllai I të gjithëve sepse ka lënë prapa një histori të madhe. Ka qenë një njeri që I ka nxjerrë gjoksin vështirësive dhe ashtu luftoi deri në pikën e fundit qëndroi por kjo ishte një sëmundje që qëlloi më e fortë se ai dhe e mundi”- thotë Sytkia, që ka pedaluar vite e vite të tëra përkrah tij. Por edhe vëllai tjetër- Shkëlqimi ka se çfarë të kujtojë, mbi të gjitha bën të ditura planet e tij të mëdha që I mbetën pa realizuar kur thotë: “Kam qenë pranë Agimit edhe në kohën kur ka ba sport, kam qenë shumë pranë edhe gjatë këtyre muajve të fundit kur ai ishte I sëmurë. Ka qenë një shok I rrallë për mua. Gjatë kësaj periudhe të fundit ka folur edhe shumë gjëra për sportin, ka fol për disa andërra të tija që s’arriti t’I bajë realitet. Dëshira e madhe ishte të bante në Shkodër një ekip model çiklizmi. Kishte filluar të mendonte për këtë gjë dhe prej 6 muajsh kishte filluar të sillte biçikleta dhe materiale sportive nga Greqia dhe ato I kam në shtëpinë time, kishte në plane të sillte sërish materiale të tjera. Sëmundja? Ai asnjëherë nuk mendonte se ajo do ta mundte. Thoshte se do ta kalonte, do ta mundte, ka qenë optimist për jetën por nuk ia doli”.

 

Shkodranët

Brahim Sykja, Hilmi Lala, Sabaudin Hoxha e Leonard Kola, kanë udhëtuar gjithë natën nga Shkodra për në Kakavijë për të pritur mikun, kolegun dhe shokun e tyre- Agim Tafilin që vinte nga Greqia tashmë jo në biçikletë por për fat të keq në arkivol. Hidhërimi tek ata duket qartë. Kanë humbur legjendën e sportit, që ata e kishin shok dhe ndjejnë një boshllëk jo të vogël. Brahim Sykja, njeriu që ka pedaluar vite e vite të tëra përkrah tij duke formuar treshen e famshme shkodrane edhe me Sytki Tafilin, thotë se ka humbur jo kolegun por vëllanë e tij. “S’ka fjalë për të thanë se dhimbja është e madhe. Kemi qenë si vëllezër, normalisht në mendjen time s’ka për t’u hequr kurrë dhe do mundohem gjithë jetën për ta kujtuar si një vëlla, si një mik. si një shok. Pjesën më të bukur të rinisë e kemi kaluar bashkë, pas asnjë lloj problem, kemi qenë bashkë kemi ndarë të mirat dhe të këqijat, gëzimet, mërzitjet, mendimet I kemi bërë gjithmonë bashkë. Kemi qenë si vëllezër”-thotë mjeshtri Sykja. Të njëjtin mendim ndajnë edhe dy ish-kolegët e tij tek Vllaznia Sabaudin Hoxha dhe Leonard Kola. “Kjo është një humbje për gjithë Shqipërinë. Ka qenë një sportist I jashtëzakonshëm, një djalë me norma dhe një familjar I rregullt. Ai na ka dhënë lamtumirën por rron dhe do rrojë në zemrat tonë përjetë”-thotë Hoxha ndërsa Kola shton: “Kemi mbetur të shokuar, pa fjalë kur kemi marrë vesh këtë lajm shumë të hidhur. Kjo është një humbje e madhe për sportin shkodran dhe në veçanti çiklizmin sepse zor se I vjen ma çiklizmit shqiptar një sportist I tillë”.

Klubi Vllaznia

Humbja e njërit prej emrave më të shquar të historisë së klubit Vllaznia, I ka vënë në lëvizje të gjithë drejtuesit e tij. I gjithë stafi I klubit e ka pritur trupin e Agimit pranë familjes për orë të tëra dhe mënjeherë janë marrë masat për t’I bërë të gjitha nderimet e duhura. Shefi I këtij klubi Gëzim Mema do shprehej: “Mbarë populli I Shkodrës humbi legjendën e vet, humbi mjeshtrin e madh të çiklizmit. Ai është në mendjen e çdo shqiptari, nga fëmija deri tek plaku sepse I tillë ishte dhe nuk do harrohet kurrë. Bashkia Shkodër dhe klubi Vllaznia bashkë me familjen e tij kanë marrë të gjitha masat që ceremonia mortore të shkojë ashtu siç duhet, me të gjitha nderimet e duhura sepse ky njeri meriton gjithçka”. Pikërisht për këtë, sot paradreke, trupi I Agim tafilit pasi të dalë nga familja e të atit, do t’I drejtohet sallës së Prefekturës Shkodër, aty ku nga ora 11.00- 12.00 do bëhen homazhe mbi trupin e tij dhe me siguri që Shkodra do dijë ta nderojë djalin e saj. Atë që u dha aq shumë gëzime, aq shumë suksese, sa pakkush tjetër.

Lamtumira

Ka mbyllur sytë në Greqi por mendjen e kishte sërish në Shkodër. Pavarësisht se Shkodra asnjëherë nuk e nderoi siç duhet. Tre vjet më parë kur u festua 90 vjetori i klubit Vllaznia, kam qenë nga ata që kam propozuar dhënien e një titulli të lartë këtij njeriu sepse pak kush mund t’i meritonte para tij. Përgjigja që mora ishte: “Agimi është i ri. Ka kohë të nderohet!!! Po sot që nuk është më, a ka vlerë nderimi? Megjithatë vetë ai asnjëherë nuk ka dashur të merret me të tilla gjëra. Ka dashur të mbesë sërish ai djali i ri 17 vjeçar nga Berdica që i turpërua mori pjesë në një garë në Tiranë dhe pa shumë bujë i mundi të gjithë. Ishte i vetmi që asnjëherë nuk kishte dëshirë të dilte nëpër intervista në gazeta a televizione për t’i bërë lavde rezultateve të tij. Ishte i thjeshtë dhe i tillë vdiq. Shkodra dhe Vllaznia ishin gjithçka për të dhe gjithnjë në zemrën e tij. Verën që shkoi, i shtoi përpjekjet e tij për t’u kthyer. Filloi të mblidhte materiale për ekipin e çiklizmit, deshi të sillte firmën e njohur japoneze të biçikletave “Shimano” në Shqipëri dhë ëndërrat e tij filluan të marrin jetë. Megjithatë gjërat nuk i shkuan ashtu siç duhet. Mori edhe djalin e tij të luante në Greqi tek Panionios sikur të donte të thoshte se kishte dëshirë ta kishte pranë vetes në ditët e fundit të jetës së tij ashtu si dhe vajzën dhe bashkëshorten. Sëmundja e rëndë na e mori shpejt KAMPIONIN. “Pushofsh në paqe Agim Tafili”!

Gjergj KOLA