Hamdi Salihi është kthyer në liderin e Viener Nojshtad, skuadër e cila në periudhën kur nuk kishte sulmuesin shqiptar në përbërje, ka humbur disi në rrugëtimin e saj drejt elitës së futbollit austriak.
Aftësitë prej lideri, por edhe mosha e sulmuesit shqiptar, kanë bërë që atë ta thërrasin të gjithë në klub me nofkën “Papa” (Babi).
“Kur erdha në verë këtu, pashë që ish ai vetmi në moshën mbi 30-vjeç”, tregon duke qeshur Salihi për mediat austriake.
“Duke filluar nga ai moment, trajneri dhe lojtarët e tjerë me humor m’u drejtuan si ‘Baba Salihi’, por ishte vetëm për gallatë. Këtu argëtohemi të gjithë me gjëra të tilla, nuk ka asnjë problem.
Pastaj tani jemi bërë dy ‘Baba’, pasi ka ardhur edhe Kienast. Unë, duke qenë ndër lojtarët me eksperiencë, mundohem gjithmonë t’i ndihmoj më të rinjtë që të bëjnë më të mirën e mundshme”, tregoi sulmuesi shqiptar i cili ka shënuar 17 gola deri tani në kampionat.
Por si do të ishte Viener Nojshtad pa Salihin? A do të kishte forcën të luftonte për t’u ngjitur më lart?
“Nuk është një lojtar, është i gjithë sistemi i lojës që kemi që u mundëson sulmuesve të bëjnë gola.
Shokët e ekipit bëjnë të pamundurën dhe unë jam atje, për të dërguar topin në rrjetë”, tregoi me modesti sulmuesi shqiptar.
Duke qenë 34-vjeç, shumëkush mendonte se Salihi ishte në mbyllje të karrierës së tij kur ai iu bashkua ekipit austriak, por Salihi tregon se po ndjek të njëjtin regjim sikur ishte më i ri, ndaj ka edhe këtë formë dhe po shënon me rregullsi.
“Njerëzit më shohin ën stadium ditën e premte por unë jam këtu duke u stërvitur çdo ditë, paradite dhe pasdite.
Stërvitem si në kohën kur kam qenë 18-20 vjeç. Por argëtohem njëlloj nga futbolli dhe kjo më ndihmon. Kur je më në moshë, mendoj se është më tepër në kokë sesa në trup.
Nëse stërvitesh mirë, dhe argëtohesh, atëherë mendoj se mund të vazhdosh gjatë.
Unë argëtohem çdo ditë me futbollin, jam çdo ditë në stërvitje. Mosha 34-vjeç është thjesht një numër për mua dhe shpresoj të vazhdoj gjatë”, deklaroi Salihi, i cili është i bindur se në jetën e tij nuk do të merret me asgjë tjetër përveç futbollit.
“Nuk e di se çfarë do të bëj pasi të mbaroj karrierën si futbollist, nëse si trajner apo drejtues, por do të vazhdoj të jem pjesë e këtij sporti.
Jam 100% i sigurt se do të vazhdoj të merrem me futboll”, deklaroi ish-sulmuesi i përfaqësues shqiptare. /vipsport/