Zlatan Ibrahimoviç ka qenë i pranishëm në prezantimin e Zhoao Feliksit për të cilin foli me superlativa. “Kemi bërë disa blerje në merkaton e janarit dhe jemi të bindur në zgjedhjet tona. Zhoao pranoi ofertën pas pesë minutash.
Ai, ashtu si Gimenez e të rinjtë e tjerë janë lojtarë cilësorë që do të na ndihmojnë shumë”. Më pas, vëmendja e drejtuesit ka kaluar te polemikat e fundit të lidhura me vendimet e arbitrave ndaj Milanit.
“Kur luajmë, kërkoj nga lojtarët gjithmonë që të jenë të drejtë. Gjithashtu, kërkoj respekt për Milanin dhe lojtarët tanë. Isha pak i befasuar që lojtarët tanë nuk reaguan më fort ndaj faullit në dëm të Uokerit që pas atij faulli mund të kishte mbetur jashtë fushe për një vit.
Ai vjen nga Anglia dhe nuk e ka për zakon të protestojë. Edhe ajo që ndodhi me Tomorin është e papranueshme, do të dërgojmë ankesë në Shoqatën e Arbitrave sepse e gjetëm veten me një lojtar më pak ndërkohë që duhet të ishim me një më shumë”, tha Ibra.