Zlatan Ibrahimovic ka provuar deri në fund, ka punuar shumë dhe ka reduktuar aq sa mundje kohën e rikuperimit pas dëmtimit të rëndë të pësuar në gju dhe është paraqitur në Manchester, i mirëpritur nga tifozët, klubi dhe trajneri Mourinho. Megjithatë, diçka nuk po shkon siç duhet, sepse nuk ka qenë më vendimtar pas kthimit të tij në fushën e lojës.

Ndoshta, pas problemeve fizike dhe moshës, edhe i madhi Zlatan e ka të vështirë të përballojë ritmet e futbollit europian. Kështu, janë kthyer zërat për një transferim të tij në Amerikë, te Los Angeles Galaxy, me këta të fundit që duket se kanë përshpejtuar negociatat.

Marrëveshja përfundimtare nuk është gjetur akoma, por një burim afër klubit amerikan ka bërë të ditur se negociatat po përparojnë me ritme të shpejta.

Lajmi është dhënë nga stacioni televiziv sportiv “ESPN”, që ka theksuar se suedezi dhe Galaxy kanë qenë gjatë gjithë kohës në kontakt. Ibrahimovic duket se do të ndryshojë përsëri fanellë dhe, pas Europës, do të synojë të pushtojë edhe Amerikën.