Drejtuesit e rinj të basketbollit të Vllaznisë kanë zgjedhur një mënyrë mjaft origjinale për t’u prezantuar me ata që kanë shkruar historinë e këtij sporti në Shkodër dhe për të marrë prej tyre mendimet se si Vllaznia mund të rikthehet sërish në nivele të larta. Ideja e drejtorit teknik Altin Halili është mbështetur nga presidenti Alban Xhaferi që ka shtruar një darkë për nderin e tyre.
Ka qenë vetë ky i fundit që për mediat ka shpjeguar edhe idenë e tij. “Arsyeja pse i mblodhëm të gjithë është në rradhë të parë t’iu urojmë festat e fundvitit. Pastaj kjo ishte edhe një mënyrë prezantimi me veteranët e basketbollit, ata që kanë shkruar historinë e këtij sporti.
Ne i konsiderojmë një pjesë të rëndësishme të projektit tonë sepse me këshillat dhe sugjerimet e tyre do të jenë shumë të vlefshëm në rrugëtimin tonë. E kemi marrë Vllazninë në momente jo të mira megjithatë shpresojmë se shumë shpejt, do arrijmë ta ngjisim aty ku duhet”- ka thënë ai.
Të ftuar kanë qenë përveç drejtorit të klubit shumësportësh Mark Kroqi, edhe shumë ish- basketbollistë dhe disa në fakt për arsye të ndryshme kanë munguar megjithatë Refik Vorfa e ka vlerësuar maksimalisht një gjest të tillë të drejtuesve të rinj të basketbollit.
“Një gjetje origjinale e drejtuesve të rinj dhe besoj se kjo na bën të ndihemi më të vlerësuar. Uroj që gjithçka të rikthehet aty ku i takon Vllaznisë dhe të rikthejë momentet e arta të saj, ndërkohë që ne do të japim kontributin tonë sa herë që të na kërkohet”- është shprehur ai.
Projekti i drejtuesve të rinj të basketbollit për të bërë gjëra të mira duket se ka nisur në mënyrën e duhur. Ajo që mbetet tashmë është vetëm marrja e rezultateve të duhura në fushën e lojës në mënyrë që Vllaznia të rikthehet aty ku i takon.
© shkodrasport.com