Deri më tash në media kanë dalë disa emra si biznesmenë të interesuar për të marrë Vllazninë. Safet Gjici, Julian Morina, Rudi Vata me koreanojugorin Choi apo dhe Muhamet Malon, por së fundi ka dalë në skenë edhe një tjetër alternativë. Nuk bëhet fjalë për një biznesmen të vetëm por për një organizim ndryshe: atë me shumë aksionerë. Njeriu që e ka marrë përsipër këtë gjë është Ylli Pashuku, një shkodran i cili është specialist investimesh dhe ekspert i ndërmarrjeve dhe kompanive në krizë. Ai ka jetuar për 10 vite me rradhë në Itali ndërsa prej 5 vitesh jeton dhe punon në Tiranë. Bashkëpunimi i tij me shumë kompani të huaja dhe marrja e eksperiencës së mjaftueshme për këtë qëllim, e kanë bërë atë të ndërmarrë një inisiativë shumë të rëndësishme. Kuptohet që është shtyrë nga të qënurit tifoz i Vllaznisë dhe duke parë situatën e vështirë që ajo po kalon, ka dashur të bëjë diçka të mirë në këtë drejtim.

“Ka qenë një ditë pune kur unë sëbashku me disa investitorë të huaj ndodhesha në zyrën e kryebashkiakes Ademi dhe ndër të tjera, në një bisedë jashtë protokolli, e pyeta atë se çfarë po ndodhte me Vllazninë. Kuptova shqetësimin e kryetares për këtë gjë dhe po ashtu, mora mesazhin prej saj se do të bënte çmos për ta nxjerrë në shitje. Pikërisht prej kësaj ideje, më ngacmoi për të bërë diçka në këtë drejtim. Kjo Vllazni mund të ketë një të ardhme më të mirë. Kuptohet që kjo mund të bëhet duke angazhuar sa më shumë njerëz, të gjithë ata që i kanë mundësitë dhe dëshirën për të kontribuar”- thotë fillimisht inisiatori Pashuku. Gjërat ai i ka të qarta në kokë, madje ka filluar edhe kontaktet e para me njerëz të interesuar, me Bashkinë apo dhe me faktorë të tjerë. “Jam interesuar në Bashki dhe më kanë thënë se do bëjnë një rivlerësim të vlerës totale të klubit dhe më pas do të vendosin për ta nxjerrë në shitje. Mjafton që Këshilli Bashkiak të vendosë sesa përqind të aksioneve do të shesë dhe më pas, t’ia delegojë këtë kompetencë Ministrisë së Ekonomisë siç e parashikon ligji. Nëse kjo ndodh shpejt, brenda janarit apo fillimit të shkurtit besoj se do jetë gati ankandi. Ideja ime është të ndërtojmë një shoqëri të hapur ku të futet kushdo. Nuk do të pranojmë biznesmenë që duan të hedhin shuma të mëdha. Pjestar i shoqërisë do të jetë ai që do të hedhë maksimumi 10 apo 15 mijë euro. Unë kam nisur kontaktet e para dhe besoj se shuma që mund të mbledhim që në këto momente është diku tek 1 milionë apo 1.2 milionë euro. Do të tentojmë të shkojmë në 2.5 deri në 3 milionë euro në mënyrë që shoqëria përveçse të blejë përqindjen e aksioneve që do të nxjerrë Bashkia në shitje, por edhe të ketë një të ardhme të sigurtë për 5 vjet. Në këtë pjesën e dytë të aksionerëve, mund të jetë kushdo, edhe një person që dëshiron të investojë 500 mijë lekë apo 1 milionë lekë të vjetra. Përqindjet pastaj do të ndahen në bazë të kontributeve të gjithësecilit. Përpos kësaj. në statutin e shoqërisë do të jetë e shkruar që për 5 vite, sa të fillojë të funksionojë ashtu si duhet ajo, nuk do lejohet shitja ose blerja e aksioneve. Besoj se në kohën aktuale kur bizneni po kalon një krizë, askush nuk është i interesuar të hedhë kaq shumë lekë për të blerë aksionet në një klub futbolli. Ndërsa me shuma të tilla të vogla dhe kur në këtë projekt janë të angazhuar 2 apo 3 mijë shkodranë dhe jo vetëm, gjërat janë më të lehta dhe më të sigurta. Shpresojmë vetëm që Bashkia Shkodër ta çojë deri në fund inisiativën e marrë për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare klubit të futbollit Vllaznia dhe ne jemi gati t’ia ofrojmë këtë zgjidhje bashkëkohore dhe shumë rezultative”- thotë Ylli Pashuku që ka ndërmarrë kësisoj një inisiativë shumë interesante dhe që ka gjetur mbështetje tek shumë njerëz paçka se ka vetëm 2-3 ditë që ai po e prezanton me specialistë futbolli, veteranë, sportdashës por edhe njerëz të tjerë të interesuar dhe të gjithë janë shprehur të gatshëm të kontribuojnë për të mirën e Vllaznisë.
www.shkodrasport.com