Pandemia e “COVID-19” ka ndryshuar rregullat e gjithë botës dhe futbolli nuk ka mbetur i paprekur. Në Danimarkë po i provojnë të gjitha gjërat dhe skuadrat e futbollit janë mes ekipeve më aktive për t’u rikthyer në normalitet.

Nëse Arhus dëshiron që t’i “futë” tifozët në stadium me rrjetet sociale, Kopenhageni ka nisur një tjetër iniciativë interesante duke transformuar tribunat e “Telia Park” në banka që shkolla të zhvillohet në ambiente të hapura.

Për javët e ardhshme, disa nxënës nga shkolla “Oster Farimagsdades” do të shkojnë në stadium. Këtë herë, jo për të bërë tifo për ekipin e tyre, por për të mësuar. “Jemi të lumtur që mund të ndihmojmë shkollat e Kopenhagenit për të zgjidhur një sfidë të vështirë dhe tani po presim me padurim të shohim nxënësit e lumtur këtu.

Të gjithë kemi detyrimin që të jemi kreativë dhe të gjejmë zgjidhje për situatën ku ndodhemi”, ka thënë Lars Bo Jepesen, drejtor i Kopenhagenit.