Opinion nga Armando LOHJA

Meqenese Federata Shqiptare e Futbollit nuk ishte në gjendje të finalizonte ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar në jubileun e 100-të të Pavarësisë së vendit tonë, mendoj se është shumë interesante të nisnim nga sot një ide të re. Atë të ndërtimit të një stadiumi të ri, tashmë jo në Tiranë por në Shkodër. Tifozët e Vllaznisë e kanë ëndërr ta realizojnë ndërtimin e një stadiumi të ri modern në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të klubit të futbollit Vllaznia. Ka një koinçidencë të bukur. Pra 16 shkurt 1919 – 16 shkurt 2019. Edhe 7 vjet na ndajnë nga jubileu i parë i 100-të i KF VLLAZNIA. Fondi i pamjaftueshëm i qeverisë për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar nëse do të zhvendosej për në Shkodër mund të ishte një investim vlerash në kryeqytetin e demokracisë. Një modul i ri bashkëpunimi mes Bashkisë së qytetit, qeverisë, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe grupit të biznesmenëve, mund të çonte në ndërtimin e tryezave për të çelur dritën jeshile të ëndrrës së 100 vjetorit të themelimit të klubit. Në Shkodër ka vite e vite që flitet për këtë çështje. Bashkia kuptohet që e vetme nuk mund të bëjë dot asgjë. Por duke bashkëpunuar me këta instancat e tjera, projekti madhor do realizohej. Stadiumi i Shkodrës nuk i ka problemet që ka “Qemal Stafa”, as të pronësisë dhe asgjë tjetër. Këtu investimi mund të bëhej më lehtë. Do ishte shpërblimi më i mirë për 100 vjetorin e Vllaznisë. Dikush mund të thotë se ka edhe 7 vjet kohë. Nëse planet nuk bëhen që tani, nuk realizohet asgjë. Ashtu si nuk u realizua ndërtimi i stadiumit të ri në Tiranë në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Meqë nuk u bë për këtë  100 vjetor, të shpresojmë të bëhet për 100 vjetorin e Vllaznisë.Ne kemi shpresat dhe idetë. Të tjerët projektet dhe fondet. Dëshira është e madhe që Shkodra të shpërblehet në këtë përvjetor të rëndësishëm me një stadium të tillë modern.