Flamurtari zhgënjeu, por Sinan Idrizi nuk ka në plan që ta gjobisë skuadrën. Me batutë dhe shumë ironi, presidenti mendon se ka ardhur koha që skuadra të shkojë te psikologu…
Gjatë një interviste ekskluzive enkas nga Turqia për “Panorama Sport”, ai prek gjithçka. Sqaron situatën e Diego Longos në stol, por jep një koment edhe për pamjet virale të Lushnja-Dinamo. Veç çudisë për zhgënjimin e mbrojtësit të bluve për penalltinë e humbur të sulmuesit të lushnjarëve, thekson se në futbollin tonë 50% e gjërave vendosen nga ata që organizojnë garën. Nuk i del inati me FSHF-në, ndërsa i paralajmëron që të mos vijë hiç në Vlorë me 6 maj, ditë kur do të prezantohet projekti i stadiumit. E ka ndarë mendjen që t’i bëjë bllokadë, pas masakrës që i bënë skuadrën së tij.
Keni një koment për ndeshjen në Lushnjë, ku Dinamo dukshëm neglizhoi?
Unë nuk i komentoj kurrë ekipet e tjera. Por mendoj se është rasti i parë që ndodh ajo kur lojtari i një ekipi kundërshtar hidhërohet kur nuk pëson. Është klasike çudi shqiptare. Po ta bënte një lojtar i Flamurtarit këtë gjë, unë do t’i kërkoja shpjegime, por jam i sigurt që këtë gjë do ta kenë bërë kolegët e mi të Dinamos. Megjithatë, në futbollin tonë 50% e garës vendoset nga lojtarët në fushë, 50% nga ata që e organizojnë këtë garë.
Keni një mesazh për Federatën Shqiptare të Futbollit?
Kam diçka për ftesën që na ka ardhur për 6 majin ku në Teatrin e Vlorës do të prezantohet projekti i stadiumit të ri “Flamurtari”. Investimi është i qeverisë shqiptare, nuk e kuptoj pse do të marrin pjesë në atë prezantim përfaqësues të FSHF-së kur ata kanë kontribut zero në këtë projekt. Nuk e kuptoj si do të ndihen zyrtarët e FSHF-së kur të vijnë në Vlorë.