Sinan Idrizi ul me këmbë në tokë Flamurtarin. Rekordi prej 8 fitoreve radhazi, për kreun e klubit nuk do të thotë asgjë. Për “Panorama Sport”, Idrizi tha se ekipi ka rivalë dhe madje “rrotë më rrotë”. Kreu i klubit kujton se Vlora nuk pret dot më.
“Ne nuk jemi pa rivalë, pasi jemi tri ekipe ‘rrotë më rrotë’. Kam idenë se jemi duke bërë diçka më mirë se vitet e tjera, por unë përsëri duhet të jem pak më i matur, domethënë të kem një optimizëm të kufizuar me këtë rast. Shpresoj që të kemi një vazhdimësi dhe besoj se me këtë grup do të shkojmë dhe do të bëjmë më mirë. Ne jemi të gjithë të predispozuar. Nuk besoj se kjo kategori është e dobët këtë vit dhe ne jemi më të fortët. Vlora nuk e duron dot më këtë lloj kategorie, u bënë shumë këtu.
Ju e mbani mend, para dy viteve ne ishim shumë afër për t’u ngjitur më lart, por u ndëshkuam këtu në Vlorë me një histori penalltie që askush nuk e zë në gojë. Do thoni ju, që me penallti nuk varet çdo gjë, por këto janë ca gjëra që me një pikë janë dhe ‘rrotë më rrotë’. Dy vjet kemi qenë shumë afër, por në mbledhje me stafin, me ish-drejtorin Pollozhani dhe të tjerë, u them: Harrojeni pjesën e kursimit të parave. Ju merruni me atë që quhet Flamurtar”, u shpreh fillimisht Idrizi.
TAVOLINAT – Sinan Idrizi u druhet lojërave në tavolina, por thotë se nuk bëhet pjesë e pazareve. “Është gjëja më e shëmtuar që ndodh në Shqipëri, në këtë vend që burrat janë vetëm meshkuj, se çfarë të thonë në sy, e hanë pas krahëve. Pa dashur që të bëjë naivin e futbollit, një mik më tha: Shko bli dhe ti një ndeshje! Jo, unë nuk blej ndeshje. Unë bie në fushë dhe marrë të gjitha detyrimet e mira. Dy herë unë e kam çuar ekipin në prokurori. Në rast flagrant, në ndeshje të shitura. Që kur është krijuar bota, Zoti ka krijuar edhe prostitutën dhe të ndershmen.
Unë mund të kem 1001 të këqija, por nuk shes. Unë mund të dështoj, por të shes Flamurtarin për një histori tavoline, për një ndeshje, nuk ka vlerë. Marrë përsipër të gjitha dështimet e Flamurtarit, por kur nuk keni për të parë në celularin tim një telefonatë të një arbitri, një histori të tipit më jep këtë, me jep atë. Nuk ka asnjë që të më telefonoj mua dhe të më thotë: ‘Më duhet kjo ndeshje’”, përfundon Idrizi.