Sinan Idrizi e ka ndarë mendjen, do ta çojë deri në fund “luftën” me FSHF-në. Dhe prezantimi i stadiumit të ri është vetëm maja e ajsbergut.

E sheh jo të udhës që të jenë të pranishëm të shtunën në teatrin “Petro Marku”. Evidenton se ata nuk kanë dhënë asnjë kontribut në projektin “Vlora Sport” dhe, mbi të gjitha, kanë 15 vite që e persekutojnë një qytet të tërë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, presidenti shkon përtej kësaj historie.

Ai evidenton se pas çdo vendimi që merret në futbollin tonë, fshihet presidenti Armand Duka dhe drejtuesit e tjerë të lartë të këtij institucioni. Aq i bindur është që ndeshja me Dinamon u trukua në disfavor të ekipit të tij, sa në përfundim të kampionatit do të çojë edhe një në Prokurori.

Dhe çfarë do të ndodhë pasi të mbarojë kampionati?

Këtë dosje do ta çoj në prokurori.

Për cilën dosje e keni fjalën?

Këtë që unë mendoj, se kjo ndeshje me Dinamon është e trukuar. Ishte në disfavor të futbollit shqiptar dhe Flamurtarit. Jemi në vend të tretë për shkak të disa ndeshjeve të dobëta që ekipi ka bërë, por ndeshja me Dinamon ishte e komanduar nga lart dhe gjyqtari është i urdhëruar. Dihen dy-tri personazhe që caktojnë arbitrat.

Keni kërkuar që të merren masa për gjyqtarin e ndeshjes Flamurtari-Dinamo. Ka pasur ndonjë reagim?

Ore, mos krijoni iluzion për gjyqtarët! Gjyqtarët janë ata që marrin urdhrat. Dihet në FSHF kush i organizon garat. Është kryetari i FSHF-së, zëvendësi i tij, Shulku, etj. Të gjithë këta bashkë. Unë si Flamurtar i kam akuzuar këta. Unë po pres mbarimin e kampionatit.