Igli Tare mbetet në pritje të një telefonatë nga Milani. Një telefonatë për një takim me administratorin e përgjithshëm të Milanit, Xhorxho Furlani, i cili ka detyrën të zgjedhë drejtorin e ri sportiv të kuqezinjve.

Furlani ka udhëtuar drejt SHBA për të diskutuar me Xherri Kardinalen për opsionet që ka përpara në tavolinë për postin e drejtorit sportiv. Dy emra dihen prej kohësh, Tare dhe Fabio Paratiçi, me shqiptarin i cili është emri i preferuar i pronarit të Milanit dhe i vetë Zlatan Ibrahimoviç.

Kardinale i ka deleguar të drejtën e zgjedhjes Furlanit dhe ky i fundit ka kërkuar kohë që të takojë jo vetëm këta dy emra, por edhe dy të tjerë që mendojnë se mund të bëjnë mirë këtë detyrë.

Emri i parë është Markus Kroshe, prej tre vitesh përgjegjësi i merkatos së Eintraht Frankfurt. Ndërsa emri tjetër është braziliani Tiago Skuro, drejtori i përgjithshëm i Monakos në Francë. Furlani do të bisedojë me të gjithë dhe në fund do t’i dorëzojë klubit raportin për zgjedhjen që do të bëjë për një rol shumë delikat te kuqezinjtë.