Sezoni nisi i vështirë për Lazion, e jo shumë për shkak të humbjes së pësuar kundër Napolit, se sa për përplasjet brenda familjes midis trajnerit Simone Inzaghi dhe presidentit Claudio Lotito. Qëndrimet e ndryshme i tregon edhe deklarata e drejtorit sportiv të skuadrës, Igli Tare, i cili foli për gjermanen “Sport1”
“Dëshminë për qëndrimet e ndryshme e tregojnë deklaratat e fundit dhe veçanërisht përcaktimi i titullit. Gjithsesi kemi besim, sepse skuadra jonë vlen 4 vendet e para dhe kualifikimi për në Ligën e Kampioneve të radhës është një objektiv realist”.
Tare foli edhe për ardhjen e një ylli si Cristiano Ronaldo në Itali dhe përfitimet në Serie A.
“Ardhja e CR7 në Itali është shumë e rëndësishme dhe e shoh si diçka mjaft pozitive. Ka pasur impakt të madh në Itali. Gjithë klubet italiane këtë verë janë përpjekur të bëjnë gjithçka për të marrë lojtarë të mirë që të rriten në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ronaldo është një element i rëndësishëm për imazhin e kampionatit. Është një avantazh i madh për futbollin italian.
A ishte kalimi te Juvja një hap pas? Jo, nuk bëhet fjalë. Juventusi është një klub i nivelit botëror. Ka shkuar dy herë në finalet e Ligës së Kampioneve në katër vitet e fundit.
Ai është në një moshë, ku ende mund të luajë një futboll të një niveli të lartë. Ky është objektivi i tij dhe për këtë e vlerësoj. Kampionati italian është aktualisht më i vështiri në botë.”, përfundoi Tare.
Trajneri i bardhekaltërve ndërkohë është përqendruar te puna e ekipit, sepse sfida e vështirë kundër Juventusit po afrohet. Në mbasditen e së shtunës, ekipi i Lazios do të përpiqet që t’i rrëmbejë të paktën 1 pikë bardhezinjve në Torino.
Nuk do ta kenë të thjeshtë, pavarësisht se me vete do të kenë 2 mijë tifozë. Inzaghi shpreson që të ketë të gatshëm Marusic-in, i cili nuk ka qenë në gjendje të mirë për shkak të një problemi në kavilje, ndërsa sot ka nisur të vrapojë. Ndërkohë që Luiz Felipe e Berisha vazhdojnë të jenë në infermieri, për shkak të problemeve muskulore. /EDS/