Igli Tare ka folur sot për rrugëtimin që pret Lacion në vijimin e sezonit dhe objektivat që ka kjo skuadër deri në mbyllje të një edicioni që duket relativisht i suksesshëm si në Serinë A, ashtu edhe në Ligën e Europës ku ka arritur mes 16 skuadrave më të mira.

Drejtori sportiv, në një prononcim për “Premium Sport”, ka sqaruar shuëm gjëra, duke filluar nga merkato, për të vazhduar të plani që ka për përforcimin e ekipit apo te elementët që ka në përbërje grupi që i ka vënë në dispozicion trajnerit Inzagi.

“Luiz Felipe i ka fituar vetë hapësirat për të luajtur këtë vit. Për të ardhmen do të jetë një pikë referimi i rëndësishëm për këtë Lacio.

Ajo që vlen më shumë se statistikat personale është rezultati sportiv. Skuadra është ndërtuar për të arritur disa objektiva dhe deri në fund të vitit nuk do ta kemi më mendjen te merkato.

Zërat e merkatos janë pjesë e punës dhe duhet të mësojmë të bashkëjetojmë me to. Disa lojtarë kanë një vlerë shumë të lartë.

Në verë kemi refuzuar 70 milionë euro për Milinkoviç-Saviç, por objektivi i Lacios është të bëhemi një pikë mbërritjeje dhe nevojitet një rritje e rëndësishme. Nëse do të ketë shitje, do të bëhen për të mbajtur klubin.

Ne duam të fitojmë Ligën e Europës dhe të arrijmë kësisoj në Ligën e Kampioneve bashkë me tifozët tanë, kjo është ëndrra jonë.

Objektivat janë ende të realizueshëm dhe derisa të jetë kështu, do të impenjohemi në të gjithë këto fronte. Nuk do ta injorojmë Ligën e Europës edhe pse objektivi kryesor mbetet arritja e Ligës së Kampioneve”, tregoi Tare. /vipsport/